Në Tiranë u mbajt simpoziumi "Harmonia dhe dialogu fetar" me pjesëmarrje të 4 liderëve
fetare të komuniteteve fetarë të Shqipërisë
(27.02.07 RV)Katër liderët fetarë të katër komuniteteve tradicionale në Shqipëri:
përkatësisht të komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, komunitetit Orthodhoks,
fortlumturia e Tij Anastas Janullatos, komunitetit Katolik, Presidenti i Konferencës
Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkëvi i Tiranë-Durrësit Rrok
Mirdita dhe komunitetit Bektashi, Haxhi Dedë Reshat Bardhi , kanë marrë pjesë sot
paradite në simpoziumin "Harmonia dhe dialogu fetar" organizuar në Hotel Tirana, në
kryeqytetin e Shqipërisë. Një aktivit ky i cilësuar si hap i rëndësishëm për çuarjen
përpara të bashkëpunimit dhe të dialogut fetar në vend. Po më hollësisht nga Tirana
na njofton Alban Guri... E tani ja ligjerata
e përgatitur nga Imzot George Frendo, ipeshkëv katolike ndihmës
i Tiranës i i cili nuk mori pjesë pasi u largua sot në mëngjes për në Malte, për
vdekjen e papritur të vëllait të tij, 66 vjeçar. Ligjeratën e lexoi Don Henri Wedcamp.
BESIMET DHE TOLERANCA FETARE 1. Feja A mund të flasim ende
për fenë në një shoqëri të shekullarizuar? Në një takim të Provincialëve Domenikanë
të Evropës në 1993, ku kam qenë I pranishëm, Hervé Légrand, një teolog domenikan francez,
tha se duhet të heqim dorë nga të folurit për shekullarizim, sepse ky, tha ai, është
një term shumë i vagët. Le të flasim për shndërrimin social dhe, si rrjedhojë, për
nevojën që ka feja për t’u inkulturuar. Pa hyrë në diskutim rreth dallimit ndërmjet
shekullarizimit dhe shekullarizmit dhe rreth përkufizimeve të ndryshme që u jepen
njërit apo tjetrit, unë dëshiroj vetëm të nxjerr në pah mënyrën me të cilën përkufizohet
zakonisht procesi i shekullarizmit. Përgjithësisht përkufizohet si procesi me të cilin
Zoti përjashtohet fillimisht nga jeta publike, pastaj nga jeta familjare e në fund
edhe nga jeta personale. Por, a mund të pohojmë, në rrethanat aktuale, se ne jetojmë
në një botë nga e cila është përjashtuar Zoti apo besimi në Zotin? Shumë sociologë
bashkëkohorë të fesë, si Peter Berger, Francis Fukuyama dhe Grace Davie thonë se kjo
nuk ngjan. Është e vërtetë se praktikimi i fesë është duke u zbehur në shumë vende
perëndimore, por kjo nuk do të thotë se njeriu bashkëkohor është bërë jo-besimtar.
Më së shumti mund të themi se kjo është një shoqëri jo-praktikante, por jo që është
një shoqëri jo-besimtare. Grace Davie, që përdori për herë të parë fjalinë “believing
without belonging” (“Të besosh pa marrë pjesë”) për të përshkruar situatën fetare
të Evropës bashkëkohore, e ilustron argumentin e saj duke iu referuar dy ngjarjeve:
11 shtatorin në New York dhe mbytjen e anijes balltike Estonia pranë brigjeve të Suedisë.
Në këto dy raste, ku shkuan njerëzit? “Drejt e nëpër kisha”. Suedia mendohet se ka
shoqërinë më të shekullarizuar në Evropë. Megjithatë populli suedez shkoi nëpër kisha;
“kishat i prisnin ata dhe ata prisnin që arqipeshkvi të artikullonte për ta kuptimin
e kësaj ngjarjeje të tmerrshme”1. Kur më shumë se para një dekade Jacques
Delors fliste për nevojën “për t’i dhënë një shpirt Evropës” dhe kur vetëm para dy
vjetësh Nikolas Sarkozy, ministër i brendshëm i Francës dhe kandidat për president,
në librin e tij interesant Republika, fetë, shpresa fliste për fenë si ajo që e ushqen
njeriun me shpresën shpirtërore që shteti nuk mund ta japë, sipas meje ata të dy shprehnin
etjen e pashuar të njeriut për Zotin dhe nevojën themelore të njeriut për t’u bashkuar
me Zotin. Askush dhe asgjë, as antiteizmi militant i Enver Hoxhës, nuk mund ta çrrënjosë
dëshirën shpirtërore për Zotin. Njeriu nuk mund ta mohojë zotin pa mohuar eve vetvetën
në të njëjtën kohë. Shën Agostini e përshkruante dëshirimin për Zotin me shprehjen
e famshme: “O Zot, ti na ke bërë për vete dhe zemra jonë është e paqetë derisa të
mos qetësohet në ty.” 2. Toleranca fetare Papa Gjoni XXIII në letrën
enciklike Pacem in terris të botuar në vitin 1963 (pak para se të vdiste) e konsideronte
lirinë fetare si njërën ndër të dreejtat themelore të njeriut që mbështetet në dinjitetin
e personit njerëzor. Deklarata e Koncilit të Vatikanit Mbi lirinë fetare shpjegon
në vijimësi se kjo liri do të thotë se askush nuk mund të detyrohet të veprojë kundër
bindjeve të veta në çështje fetare as privatisht as publikisht. Për më tepër ai pohon
se “kjo e drejtë e personit njerëzor për të gëzuar lirinë fetare duhet të njihet në
rendin kushtetues dhe madje të bëhet një e drejtë civile” (n.2). Kjo deklaratë përshëndeti
edhe faktin se “liria fetare është shpallur gjithmonë si e drejtë civile në shumicën
e kushtetutave dhe gëzon një pranim solemn në disa dokumenta ndërkombëtarë” (n. 15). A
është ende e domosdoshme të flasim për liri dhe tolerancë fetare në botën post moderne
dhe post-1989? A është e përputhshme me shoqërinë pluraliste mostoleranca fetare?
Apo, a është e imagjinueshme se si mund të jetë e mundshme mostoleranca fetare në
një shoqëri pluraliste? Unë mendoj se deri jo më shumë se 60 vjet më parë (domethënë
deri në fund të luftës së dytë botërore; disa thonë seri në vitet 1960) një përkufizim
i shoqërisë përfshinte domosdo disa bashkësi idesh. Kjo bashkësi idesh përfshinte
besime fetare dhe standarde morale të përbashkëta. Moskonformizmi fetar ishte i lejuar
vetëm nëse ishte diçka private. Kjo gjë ndodh edhe sot e kësaj dite në disa vende. Por,
epoka e re e postmodernizmit solli me vete atë që ne tani e quajmë pluralizëm, jo
vetëm politik, por edhe kulturor, fetar, etj. Në këtë kontekst, toleranca përkundrejt
dallimeve politike, kulturore dhe fetare shpreh një gjë të bukur e të mirë. Por pluralizmi
ka edhe efektet e veta anësore. Dëshiroj të rendis vetëm dy prej tyre. Në radhë
të parë, pluralizmi priret të relativizojë parimet morale dhe vetë konceptin e fesë.
Kjo pastaj mund të çojë në një qëndrim neutral përballë vlerave. Por ky është keqkuptimi
i tolerancës. Tolerancë dhe bashkëjetesë paqësore nuk do të thotë flijim i vlerave
absolute morale dhe i besimeve fetare. Një efekt i dytë anësor i pluralizmit është
ai që unë e quaj si paradoksin e madh ose si ironinë e pluralizmit: lindja e formave
të reja të konflikteve dhe mostolerancës. Jonathan Sacks, kryerabini i bashkësive
hebraike the Commonwelth-it britanik, në librin e tij shumë interesant The Persistence
of Faith, bën këtë vërejtje: “Pluralizmi na bën të presim një rritje të tolerancës,
ndërsa në fakt përgatit terrenin për forma të reja mostolerance. Duke zhveshur dhe
privatizuar konceptin e së mirës së përbashkët, ai kërkon të thotë se asnjë pozicion
nuk është i detyruar të caktojë marrëveshje me realitetin e dikujt tjetër. Nuk është
një rastësi që, me rritjen e pluralizmit është rritur edhe tensioni racist dhe antisemitizmi”.
Dhe në fakt, diçka e tillë është vërtetuar edhe në shumë vende ish-komuniste, por
edhe në disa vende të Evropës perëndimore, ku janë zhvilluar disa forma të reja të
fondamentalizmit, të nacionalizmave të rrezikshme dhe të racizmit e të nazizmit. A
mund të jenë fetë burim konflikti dhe mostolerance? Kënga popullore e John Lennon-it
Imagine ëndërron për një botë në të cilën nuk do të ketë më fe dhe kjo gjë, thotë
ai, do të sjellë një jetë të paqme, sikurse feja është guri i vetëm apo kryesor tek
i cili pengohet një shoqëri paqësore. Ish Arqipeshkvi i Canterbury-s Dr. George
Carey ka pohuar se feja “është shpesh një lidhës i fuqishëm për shoqëritë dhe kulturat,
një pjesë e kuptimit themelor që ata kanë për veten. Dhe atje ku lindin konflikte
ndërmjet bashkësive të përkufizuara në këtë mënyrë, politikanët apo njerëz të tjerë
përdorin shpesh fenë si një mënyrë për të justifikuar apo për të thelluar konfliktin.” Edhe
në kohët tona e kemi parë vërtetësinë e këtij pohimi. Le të mendojmë vetëm për konfliktet
në Ballkan, ku feja është instrumentalizuar nga politikanët, që cilët i kanë dhënë
një fizionomi fetare luftrave që kanë ndezur, gjoja se këto janë konflikte ndërmjet
muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë. Apo konfliktet në Irlandën e Veriut, ku
konflikti ndërmjet pro-britanikëve dhe pro-irlandezëve kanë marrë formën e konfliktit
ndërmjet protestantëve dhe katolikëve. Princi El Hasan bin talal ka pasur me siguri
të drejtë kur ka pohuar në asambëenë e përgjithshme të Konferencës Botërore për Fenë
dhe Paqen të mbajtur në Amman, Jordani në nëntor 1999: “Ato konflikte që përshkruhen
si ‘konflikte fetare’ zakonisht kanë të bëjnë pak me fenë dhe edhe më pak me doktrinën
fetare”. Me një frymëzim të ngjashëm, Bodo Hombach, në një fjalim të mbajtur në Budapest
një vit pas konfliktit në Kosovë, gjatë kohës që ishte koordinator i paktit të stabilitetit
për Evropën Jug-lindore, ka bërë këtë pohim të guximshëm: “Paqja dhe pajtimi janë
termat fetare kyçe për kohët tona. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se së voni
dhe jo shumë larg prej këtu, njerëz cinikë dhe të pangopshëm e kanë instrumentalizuar
fenë për të ndihmuar përhapjen e flakëve të konfliktit, me qëllim që të arrinin qëllimet
e tyre brutale, e disi ekonomike.” Fetë janë në favor të paqes, sepse fetë janë
shprehje e besimit në Zotin dhe e bashkimit me Zotin, krijuesin e gjithë njerëzimit.
Këtu qëndrojnë themelet e vëllazërisë së vërtetë dhe e paqes së kulluar. Nëse në disa
rrethana duket se kjo gjë nuk është e vërtetë, atëherë duhet të pranojmë se kemi të
bëjmë me një keqkuptim apo instrumentalizim të fesë dhe të vetë Zotit. Nuk mund të
shpallet asnjë luftë në emër të Zotit. 3. Përtej tolerancës Shqipëria
është krenuar gjithmonë për traditën e bashkëjetesës paqësore ndërfetare dhe kjo është
e drejtë. Pak para vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II
ka thënë: “Dëshiroj me gjithë zemër që kjo vizitë të shërbejë për të përforcuar lidhjet
tradicionale të bashkëjetesës vëllazërore që ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet
ndërmjet feve të ndryshme në atdheun tuaj.” Shkëlqesia e Tij Zoti Alfred Moisiu, President
i Republikës, në fjalimin që ka mbajtur për ambasadorët shqiptarë me mision në vende
të ndryshme më 30 gusht 2002 ka thënë këto fjalë: “Nuk mund të injorojmë praninë e
feve të ndryshme në atdheun tonë, por duhet të vlerësojmë rolin e tyre për krijimin
e një atmosfere tolerance në shoqërinë tonë. Shqipëria mund të krenohet për bashkëjetesën
harmonike të bashkësive fetare. Një karakteristikë themelore e qytetërimit shqiptar
është toleranca fetare dhe kjo nuk lë hapsirë për asnjë lloj fondamentalistësh.” Por
deri në ç’pikë po japim dëshmi për një bashkëjetesë paqësore që shkon përtej tolerancës
së thjeshtë? Toleranca nuk është vetëm minimumi i mjaftueshëm që kërkohet për një
bashkëjetesë paqësore. Unë jam në rregull, ti je në rregull; unë shoh punën time dhe
ti sheh punën tënde. Feja kërkon më shmë se kaq. Nuk mjafton vetëm të pish një kafe
me një ortodoks, me një musliman apo me një bektashian me rastin e pashkëve apo të
bajramit. Në këtë pikë i referohem një teologu ortodoks rus, Oliver Clement, i
cili ka krijuar shprehjen partneritet profetik2. Me fjalë të tjera, ne
duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta prë të zbuluar rolin e përbashkët profetik
të feve tona. Këtu duhet të theksojmë rëndësinë e dialogur ndër-fetar. Me fjalën
‘dialog’ nuk nënkuptoj rrugën drejt relativizmit, drejt kompromisit ideologjik apo
doktrinor, drejt sinkretizmit dhe as rrugën drejt pranimit pasiv të të qenit tonë
të ndryshëm; nuk nënkuptoj një modus vivendi, dhe as vetëm një bashkëekzistencë paqësore.
Siç e ka nxjerrë në pah me të drejtë Joseph Ellul: “Dialogu ndërfetar është i themeluar
mbi respektin e ndërsjelltë, por edhe mbi sinqeritetin dhe guximin. Roli i tij nuk
është të rrafshojë ndryshimet, por që t’i shohë ato si një mjet që ndihmon për të
krijuar mirëkuptim të ndërsjelltë, respekt dhe pasurim. Kjo do të thotë të ruash identitetin
tënd fetar dhe në të njëjtën kohë të respektosh identitetin e tjetrit; kjo do të thotë
edhe të dëgjosh, edhe të flasësh. Bëhet fjalë për një sfidë të përhershme për të thelluar
fenë përkatëse, në një kohë që edhe vlerëson fenë e tjetrit”3. Që të
zbulojmë rolin tonë të përbashkët profetik duhet në radhë të parë një besim në Zotin
e vetëm të vërtetë që është dashuri; një besim në dinjitetin tonë si njerëz të krijuar
nga Zoti në shëmbëllimin e tij dhe një besim në therrjen tonë të përbashkët për ta
njohur Zotin, për ta dashur atë, për ta ditur se ai na do ne, për t’u bashkuar me
të dhe për ta dëgjuar. Në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes më 1 janar 2002
Papa Gjon Pali II ka theksuar rolin e veçantë të udhëheqësve fetarë të krishterë e
jo të krishterë. Ai ka thënë se këta duhet të bashkëpunëojnë për të çrrënjosur shkaqet
shoqërore dhe kulturore të terrorizmit, duke shpallur dinjitetin e personit njerëzor,
dhe se duhet të angazhohen së bashku për promovimin e paqes. Do të doja ta përfundoja
këtë kumtesë duke cituar mesazhin përfundimtar të Asamblesë Ndërfetare që është mbajtur
në Vatikan në tetor të vitit 1999: “U bëjmë apel udhëheqësve fetarë që të zhvillojnë
shpirtin e dialogut brenda bashkësive të tyre përkatëse dhe që të jenë të gatshëm
të hyjnë vetë në dialog me shoqërinë civile në të gjitha nivelet. U bëjmë apel të
gjithë udhëheqësve të botës, në çfarëdo fushe të influencës, që të refuzojnë ta përdorin
fenë për të nxitur urrejtje dhe dhunë; që të refuzojnë ta përdorin fenë për të justifikuar
diskriminimin; që ta respektojnë rolin e fesë në shoqëri në nivelet ndërkombëtare,
kombëtare dhe vendore; që ta çrrënjosin varfërinë dhe që të përpiqen për të vendosur
drejtësi shoqërore dhe ekonomike”. Unë mendoj se këto fjalë na parashtrojnë një
program të shkëlqyer për një dialog të mëtejshëm ndërfetar dhe për bashkëpunim..