2007-02-27 17:43:09

Bosnja e zhgënjyer mbi vendimin e Hagës për Serbinë, e pafajshme në masakrën e Srebrenicës e lajme të tjera.


(27.02.07 RV)Udhëheqësit boshnjakë dhe kroatë në Bosnjë Hercegovinë shprehen të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Hagës mbi Serbinë. Sipas këtij vendimi, Serbia nuk është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për gjenocidin në Bosnjë. Presidenti serb Boris Tadiç kërkoi dje nga Parlamenti të dënojë vrasjet në Srebrenicë, por sot Partia e kryeministrit Koshtunica nuk pranoi që kjo masakër të trajtohet si e veçantë, me një deklaratë nga Parlamenti. Kujtojmë se masakra e Srebrenicës konsiderohet si tragjedia më e madhe, që ka ndodhur në Evropë, pas përfundimit të Luftës II Botërore.
Ndërkaq, kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte i kërkoi Serbisë që të dorëzojë gjeneralin Ratko Mlladiq, i cili besohet se fshihet në vend. “Edhe sot mund ta dorëzojnë po të duan” – deklaroi Del Ponte.


Ambasadori italian dhe ai amerikan në Sri Lankë janë plagosur lehtë nga një sulm i rebelëve Tamil kundër dy helikopterëve, që transportonin edhe diplomatë të tjerë, ndër të cilët përfaqësuesi amerikan në vend. Rebelët kanë shprehur keqardhje për ngjarjen, por kanë akuzuar qeverinë e Sri Lankës se nuk i ka lajmëruar për kalimin e misionit ndërkombëtar, siç është bërë tashmë e zakonshme. Bashkimi Evropian e ka dënuar sulmin, duke folur për një “incident të rëndë” dhe i ka ftuar palët t’i japin fund luftës ndërmjet tyre.


Në Darfur të Sudanit janë kryer krime lufte dhe kundër njerëzimit. Përgjegjësit duhen ndëshkuar. Kjo është kërkesa e paraqitur nga Luis Moreno Okampo, prokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës. Akuzohen ish-ministri i brendshëm sudanez, i cili është aktualisht ministër i Ndihmës Sociale, dhe kreu i një milicie vendase. Sipas Kombeve të Bashkuara, në Darfur, që nga viti 2003 kanë vdekur 200 mijë vetë dhe janë shpërngulur 2,5 milion persona.







All the contents on this site are copyrighted ©.