“Ta zhdukim së bashku varfërinë dhe ta gjallërojmë familjen me dashuri”.
(25.02.2007 RV) Kjo është tema e mesazhit të ipeshkvit të Hong Kongut, kardinalit
Jozef Zen ze-kiun për Krezhmët 2007. Mesazhi lidhet ngusht me realitetin shoqëror
të qytetit, ku hendeku ndërmjet të pasurve e të varfërve është shumë i thellë, prandaj
bëhet edhe më urgjente nevoja për t’i ndihmuar të varfërit. Familja është bashkësi
dashurie, por në Hong Kong vijojnë tragjeditë familjare – vëren ipeshkvi - prandaj
i fton besimtarët t’i konsiderojnë të afërmit si vëllezër e ta ndërtojnë familjen
e tyre dhe familjen e madhe njerëzore mbi bazën e dashurisë së Krishtit. Njeriut
është egoist- vijon prelati - nuk do ta pranojë misionin e dashurisë, gjen gjithnjë
pretekste për të fajsuar të tjerët e për të përligjur veten. Por të krishterët nuk
mund të heqin dorë nga një impenjim i tillë. Mjafton t’ia ngulin mirë sytë Krishtit
në Kryq! E kjo – vijon ipeshkvi kinez – më kujton nënën e shën Gjon Boskos. Një
ditë fëmijët që mblidhte Gjoni ia kishin shkatërruar kopshtin e ia kishin ndotur rrobat
e lara, që thaheshin në tel. Kur u kthye i biri, ajo iu lut ta lejonte të kthehej
në fshat. Shenjti i ardhshëm nuk tha asnjë fjalë, vetëm i tregoi me gisht Kryqin që
varej përballë. Kështu shkruan prelati dhe në fund të mesazhit bën pyetjen: “A keni
në shtëpi ndonjë Kryq të madh? Në se nuk e keni akoma, gjejeni dhe vendoseni në krye
të vendit, që të mund ta shikoni mirë ngado që të lëvizni!”.