2007-02-24 17:10:24

Krezhmë 2007: Papa i fton besimtarët të pendohen e të zgjedhin dashurinë e Zotit në Kryq.


(25.02.2007 RV)Krezhmët, që nisën me të Mërkurën e Përhime, janë stinë shpirtërore e përshtatshme, që na krijon kushtet të ushtrohemi për ta kërkuar më me ngulm Zotin, duke i lënë mënjanë planet kalimtare të suksesit personal, për të zbuluar forcën e dashurisë së Hyjit e të mëshirës së tij për njerëzit e ligësht. Na ftojnë të kthehemi tek Zoti, sepse njeriu nuk është arkitekt absolut i fatit të vet e, si bir i Hyjit, mund të synojë shumë më tepër se vetrealizmi i tij. Të rizbulojmë, pra, se pas hijes së Kryqit është e fshehta e lumturisë, që duhet dëshmuar në çdo mjedis të jetës shoqërore.
Por duhet pasur mirë parasysh se ky shtegtim pendese ungjillore nuk mund të kufizohet vetëm në një periudhë të veçantë të vitit. Duhet të shtrihet në gjithë harkun e jetës, duhet të ndjehet fuqimisht në çdo ditë të jetës sonë.
Pendesa nuk është përpjekje për realizmin e vetvetes, sepse njeriu nuk është arkitekt i fatit të tij të amshuar. Nuk jemi ne që e kemi bërë vetveten, prandaj vetrealizimi është jo vetëm kundërshti, por edhe tepër pak për ne: kemi një qëllim shumë më të lartë. Të kthehesh në rrugën e Zotit do të thotë të pranosh lirisht, me dashuri që të varesh në gjithçka nga Zoti, me bindjen se kjo nuk është varësi po liri. Të bësh kthesë do të thotë të mos rendësh pas suksesit vetjak, që kalon, por duke hequr dorë nga siguria njerëzore, ta ndjekësh me thjeshtësi e besim Zotin, në mënyrë që Jezusi të bëhet për të gjithë, ashtu siç ishte për të Lumen Nënë Terezë, që përsëriste vazhdimisht: “Krishti për mua është gjithçka”.
“Po, Kryqi është dëftimi përfundimtar i dashurisë dhe i mëshirës hyjnore edhe për ne, burrat e gratë e epokës së sotme, që shpesh hutohemi nga shqetësimet e interesat tokësore të çastit. Zoti është dashuri e dashuria e tij është e fshehta e lumturisë sonë. Por për të hyrë në këtë mister dashurie, nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj të Kryqit”.
Ndërsa praktikat krezhmore për traditën e krishterë janë armë shpirtërore për të luftuar pasionet e këqija e veset, duke pasur parasysh formulën krezhmore “Pendohuni e besoni në Ungjill”, e “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh!”.
Kemi, pra, dyzet ditë për ta thelluar përvojën shpirtërore asketike, duke dhënë lëmoshë, duke u lutur e duke agjëruar, sepse tradita e krishterë i konsideron praktikat krezhmore si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset.Këtë theksoi Papa në dy kremtimet e së Mëkurës së Përhime e, duke kujtuar Mesazhin e tij të Krezhmëve 2007, u përsëriti besimtarëve ftesën për t’i jetuar këto dyzet ditë hiri të posaçëm, si kohë eukaristike.







All the contents on this site are copyrighted ©.