Ultranacionalistët serbë: jashtë nga OKB-ja e Bashkimi Evropian, nëse i jepet pavarësia
Kosovës.
(23.02.07 RV) Përfundoi sot në Vjenë dita e tretë e bisedimeve mes Prishtinës
e Beogradit. Në qendër të vëmendjes çështjet e ekonomisë dhe të pronave. Në mesin
e këtyre diskutimeve, të cilat deri tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat të dukshëm,
pasi palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, ndodhet për vizitë në Kosovë, Ministri
i jashtëm danez, Piër Sti Myler, i cili ka folur kryesisht për planin e Ahtisarit
me autoritetet e vendit. Myler deklaroi se shpreson që procesi i vendosjes së statusit
të Kosovës të mbyllet deri në verën e ketij viti. Ndërkaq, në Serbi, negociatat
për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 21 janarit janë në vendnumëro, pikërisht
për shkak të çështjes së Kosovës. Partia e Koshtunicës, e cila duhet të marrë pjesë
në koalicionin qeveritar, sëbashku me Partinë Demokratike të presidentit Tadiç, mendon
se qeveria nuk mund të formohet, ndërsa vazhdojnë bisedimet për Kosovën në Vienë.
Sipas Koshtunicës, ato duhet të ndërpriten derisa të formohet qeveria. Nëse kjo gjendje
do të vazhdojë, ka mundësi që Serbia të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga
ana tjetër, ultranacionalistët serbë, të cilët kanë rezultuar si partia e parë në
votimet e 21 janarit, kanë deklaruar sot se nëse Kosova shpallet e pavarur, Serbia
duhet të dalë nga OKB-ja dhe të heqë dorë nga projektet e integrimit në Bashkimin
Evropian. Sipas zv.kryetarit të Partisë Radikale, Beogradi duhet të ndërhyjë ushtarakisht
në Kosovë, nëse ajo ndahet nga Serbia.