Sot Kisha katolike pëkujtoi Shën Polikarpin e Smirnës, ipeshkëv e martir.
(23.02.2007 RV) Polikarpi i njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe të tjerët,
që kishin parë Zotin. Prandaj na paraqitet si dëshmitar i jetës apostolike dhe njeri
i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar filipianëve e maqedonëve
të krishterë. Jetoi në heshtje e fshehtësi, duke mos pasur besim në forcat e veta,
sepse tepër plak e i lodhur. Por kur i erdhi koha të dilte haptas, diti ta mbrojë
me një guxim të jashtzakonshëm fenë e vet. Fundin e tij e njohim nga një dokument,
që mban datën 23 shkurt 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike
e liturgjike. I zvarrisur para Prokonsullit Stazio Quadrato - rrëfehet në dokument
- Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin. E ai u përgjigj duke tundur kokën: "Që prej
86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj kundër Mbretit
tim, që më shëlboi? - A e di se mund të të djeg të gjallë? - i tha Prokonsulli. -
Zjarri me të cilin më kërcënoni - përgjegji Shenjti - të djeg për një çast, por pastaj
kalon; unë ia kam frikën zjarrit të amshuar të dënimit!" E ndërsa digjej i gjallë
në mes të amfiteatrit të Smirnës, Ai i lartonte Zotit një lutje të shkurtër, por të
dalë nga zemra: " O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve,
nga Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i gjithpushtetshëm - e qoftë i nderuar emri
yt së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!".E sakaq, trupi
i pjekur, u kthye në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë dokumenti - vetëm
pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar.