Sot, në praninë e Papës, u mbajt Konçistori për shpalljen e 5 shenjtorëve të rinj.
(23.02.2007 RV)Janë pesë dëshmitarë
të Ungjillit, që në epoka të ndryshme ecën me dashuri e vetmohim të pakufishëm në
gjurmët e Krishtit. Kjo u theksua sot në Konçistorin e zakonshëm publik, kryesuar
nga Benedikti XVI për shpalljen e pesë shenjtorëve të rinj, që u mbajt në sallën e
Koncistorit të Pallatit Apostolik në Vatikan. Figurat e shenjtorëve të rinj iu paraqitën
Papës nga kardinali Hosé Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Ecclesia,
Sanctorum mater, semper gaudet cum in fillis suis….” “Kisha, nënë
e shenjtorëve, galdon gjithnjë kur shikon si shkëlqen në bijtë e vet, figura e vetë
Krishtit, shembull i përsosurisë hyjnore”. Këtë nënvizoi kardinali Martins i cili,
duke folur shkurtimisht për jetën e pesë shenjtorëve të rinj, kujtoi sidomos se
ata i tërhoqi vërtetësia e dashuria e Krishtit. Unusquisque, suo in ambitu
ac tempore… “Secili prej tyre – pohoi – në kohën e vet e në ambientin
e vet qe ndërtues i përvujtë e durimtar i Mbretërisë së Zotit”. Ndërmjet shenjtorëve
të rinj është Simoni nga Lipnica, polak i Urdhërit të Fretërve të Vegjël,
predikatar i shquar, njeri i fjalës e i veprimit, që dha ndihmesë të jashzakonshme
gjatë një epidemie të murtajës, sëmundje nga e cila vdiq në vitet 1400. La një amanet
prekës: ‘Të varrosej në prag të portës së Kishës, që ta shkelnin me këmbë të gjithë
besimtarët’. Shpallen shenjtorë edhe rregulltari pasionist holandez, Karlo
Sant’Andrea, që jetoi në vitet 1800, apostull i ekumenizmit dhe rrëfyes i palodhur;
rregulltari alkantarin brazilian Antoni i Shën Anës, që jetoi rreth viteve
1700-1800, themelues i kuvendit të Motrave Konçecioniste dhe rregulltarja kundruese
franceze Maria Eugjenia e Jezusit, që jetoi në 1800-tën, themeluese e Motrave
të Asuncionit. Së fundi shpallet shenjt edhe meshtari maltez, Gjorgjio Preka,
themelues i Shoqërisë së Doktrinës së krishterë, kushtuar edukimit të të rinjve, që
jetoi në shekullin e kaluar. Porosia kryesore që u la dishepujve të tij, ishte: “T’i
përngjisni Krishtit zemërbutë, sepse pikërisht zemërbutësia mund t’ia ndryshojë faqen
botës”. Liturgjia e shenjtërimit të të Lumit Antoni i Shën Anës do të kremtohet
më 11 maj 2007, ndërsa e katër të tjerëve, më 3 qershor 2007. E pikërisht dje,
në takimin me meshtarët romakë, Benedikti XVI nënvizoi rolin e jashtzakonshëm që luajnë
shenjtorët në përfocimin e fesë sonë:“Natyrisht shenjtorët na shoqërojnë. Janë
figura që, megjithëse patën probleme të shumta, e shpjeguan me jetën e tyre vërtetësinë
e Shkrimit Shenjt. Secili njeri ka shenjtin e vet, nga i cili mund të mësojë ç’do
të thotë të jetosh si i krishterë i vërtetë, e këtë mund ta mësojë edhe më mirë nga
shenjtorët e kohëve tona, pa harruar se Virgjëra Mari mbetet Nëna e Fjalës së Hyjit
e Nëna jonë, që na ndihmon të ecim gjithnjë përpara në rrugën e shenjtërisë”.