2007-02-23 19:01:43

Kardinali Bertone: diplomacia vatikanase është në shërbim të së mirës së vërtetë të njeriut.


(23.02.2007 RV)RealAudioMP3 “Selia e Shenjtë dhe Kisha nuk mbrojnë interesat e veta, por kërkojnë të mirën e vërtetë të njeriut”- kështu u shpreh dje pasdite kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit në Institutin ‘Luigji Sturco’, ku u mbajt takimi me temë “Përfaqësitë diplomatike të Selisë së Shenjtë, histori, studime e aktualitet”.
Janë 177 kombet me të cilat Selia e Shenjtë ka sot marrëdhënie diplomatike; 33 organizatat dhe organizmat ndërqeveritare, pranë të cilave ka përfaqësi të përhershme, 10 ato zonale. Po cili është kontributi konkret që i jep diplomacia vatikanase shoqërisë civile? Kardinali Bertone përgjigjet:
“Më duket se ajo që quhet diplomaci e Vatikanit, kontribuon me mjetet e veta në dialogun dhe bashkëpunimin me bashkësinë civile, me autoritetet e saj, në shërbim të së mirës së përgjithshme të njeriut, që është njëkohësisht anëtar i bashkësisë civile dhe anëtar i Kishës. Interesat që mbron Kisha dhe Selia e Shenjtë nuk janë në shërbim të vetvetes; kërkojnë vetëm të mirën e njeriut e të mbarë njerëzimit, duke i mësuar, duke i shenjtëruar e duke i udhëhequr të pagëzuarit. E nga ana tjetër, duke promovuar kudo atë të drejtë themelore, që është e drejta e lirisë fetare”.
E cilat janë detyrat e përfaqësive diplomatike të Selisë së Shenjtë? Imzot Antonio Filipaci, autor i vëllimit “Përfaqësitë dhe përfaqësusit papnorë”, botuar nga Shtypshkronja e Vatikanit, shpjegon:
“Së pari, forcimi i lidhjeve ndërmjet Kishave të veçanta dhe Papës së Romës, pra bashkimi ndërkishtar; e së dyti, theksimi i vlerave të mëdha, që njerëzimi po përpiqet t’i mbrojë me të gjitha forcat, siç është paqja, jeta, zhdukja e varfërisë dhe e urisë në botë e probleme të tjera, që nuk mungojnë kurrë”.
Po si u zhvillua në rrjedhë vitesh diplomacia papnore? Në mikrofonin tonë, imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet:
“Diplomacia papnore ka ndjekur evolucionin e bashkësisë ndërkombëtare, duke kaluar nga një diplomaci kryesisht dypalëshe, në diplomaci shumpalëshe, dmth në përfaqësimin dhe pjesëmarrjen në jetën e organizatave ndërkombëtare.Numri i nunciaturave apostolike dhe numri i shteteve që kanë lidhje diplomatike me Selinë e Shenjtë ka ardhur duke u rritur, posaçërisht pas rënies së Murit të Berlinit. Nga ana tjetër, prania e Selisë së Shenjtë në gjirin e organizatave ndërkombëtare është zhvilluar shumë e, për këtë, mjafton të citoj pjesëmarrjen në konferencat e mëdha të viteve ’90 mbi popullisnë e zhvillimin, mbi kushtet e jetës së grave e, sidomos, në atë mbi zhvillimin shoqëror, në të cilën Selia e Shenjtë mundi të bëjë të njohur më mirë Doktrinën Shoqërore të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.