2007-02-23 19:01:08

E drejta e arsyes së ndërgjegjes për të krishterin është në qendër të Kongresit ndërkombëtar, organizuar nga Akademia Papnore për jetën.


(23.02.2007 RV)RealAudioMP3 “Çdo njeri e ka për detyrë ta formojë ndërgjegjen, e realizimi i një detyre të tillë bëhet edhe më i rëndësishëm për të krishterin, që është i thirrur ta modelojë sipas mësimeve të Kishës, për t’i dëshmuar pastaj këto mësime në jetën e tij të përditshme”. Kjo është sinteza e fjalimit të kardinalit Havier Lozano Barragan në Kongresin ndërkombëtar me temë “Ndërgjegjia e krishterë në mbështetje të së drejtës për jetën”.
Kryetari i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit hapi punimet e Kongresit të Akademisë Papnore për jetën, organizuar me rastin e Asamblesë së saj të përgjithshme. Në takimin dyditor, që filloi sot në Sallën e re të Sinodit në Vatikan, po diskutohet për temat e mëdha të aktualitetit, ndërmjet të cilave, e drejta që ka besimtari për të shfrytëzuar arsyen e ndërgjegjes, në se vihet në rrezik jeta e njeriut.
Imzot Elio Sgreçia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, na e shpjegon kështu, në mikrofonin tonë, piksynimin e takimit:
Përgjigje: - Piksynimi i takimit është i dyfishtë. Në radhë të parë duam të nënvizojmë identitetin e ndërgjegjes së krishterë, ç’do të thotë të jesh i krishterë e të kesh aftësinë të orientohesh për t’i zgjidhur drejt problemet e mprehta të jetës së përditshme, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës në rrethanat e sotme. Piksynimi i dytë është të vihen në dukje problemet e reja që kërkojnë shfrytëzimin e arsyes së ndërgjegjes. Deri tani kemi njohur vetëm dy tipe kundërshtimi për arsye ndërgjegjeje: atë kundër shërbimit ushtarak e kundër abortit dhe sterilizimit. Por tani rastet janë shtuar: kemi, për shembull, rastin e abortit kimik, dmth të përdorimit të ilaçeve për parandalimin e shtatzanisë, që tashmë janë bërë realitet i përditshëm edhe në botën e tretë. Kemi pastaj problemin e eutanazisë e edhe probleme që kanë të bëjnë me familjen, siç është martesa ndërmjet homoseksualëve. Lind menjëherë pyetja: “A mund ta bëj këtë, duke qenë besimtar? Prandaj themi se besimtarët duhet të bëhen të vetëdijshëm për të rejat në këtë fushë, sepse ndërgjegjia është karta e identitetit, busola e njeriut, që e ndihmon të orientohet në pluralizmin aktual.







All the contents on this site are copyrighted ©.