Sot Kisha katolike kremtoi festën e Katedrës së Shën Pjetrit.
(22.02.2007 RV)Kjo festë tërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën
e Shën Pjetrit dhe misionin e tij të veçantë që i besoi Krishti. Në të vërtetë historia
na flet për dy katedra të Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në
Romë, selia e magjisterit të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte
këto dy seli të ndryshme në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt
(në Antioki). Pas rishikimit të Kalendarit u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen
në një datë të vetme, më 22 shkurt. Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin
e Katedrës, vë në dukje misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti,
mision që vijon ta kryejnë pasardhësit e tij e që është fillesë e themel i dukshëm
i bashkimit të Kishës. Katedra, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është selia e
përhershme e papës dhe e ipeshkvijve. Vendoset në Kishën-nënë të dioqezës (prej këndej
edhe emri i saj katedrale) Është simbol i autoritetit të ipeshkvit dhe i misionit
të tij ipeshkvnor në Kishën vendase. Ndërsa katedra e Shën Pjetrit tregon pozitën
e prijësit në kolegjin apostolik, sipas vullnetit të vetë Krishtit, i cili i besoi
Pjetrit detyrën të kulloste grigjën, dmth t’i printe popullit të Zotit, Kishës. Pjetri
e kryen detyrën që Krishti ia caktoi para se të kryqëzohej, por edhe pasi u ngjall.
Kryeson zgjedhjen e Matisë dhe i flet në emër të të gjithëve turmës që rend për ta
dëgjuar para çenakullit, ditën e Rrëshajëve, ashtu edhe para sinedrit. Vetë Erodi
Agripa e di mirë se zhdukja e prijësit do t’i jepte një goditje për vdekje Kishës
së sapolindur. Në se prania e Shën Pjetrit në Antioki provohet në mënyrë të pakundërshtueshme,
për ardhjen e Apostullit në Romë në vitet e para të Perandorisë së Klaudit, nuk kemi
prova po aq të sigurta. Megjithatë mund të themi se lulëzimi i krishterimit në
kryeqytetin e perandorisë, që vërtetohet nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve
rreth vitit 57, nuk do të mund të kuptohej pa praninë e një misionari të klasit të
parë. Pavarësisht nga data kur shkeli në Romë, ardhja dhe martirizimi i Shën Pjetrit
në Qytetin e Amshuar vërtetohet nga tradita shumë të lashta, të pranuara edhe nga
studiuesit jo katolikë. E këtë e vertetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe gërmimet
që u bënë më 1939 me urdhër të papës Piu XII në Kriptën e Vatikanit, nën Bazilikën
e Shën Pjetrit, rezultatet pozitive të të cilave u pranuan në mënyrë të njëzëshme. Në
kuadrin e festës së Katedrës së Shën Pjetrit, sot pasdite në Romë u mbajt Asambleja
solemne e Rrethit të Shën Pjetrit, shoqatë e lashtë, themeluar në vitin 1869 nën papninë
e Piut IX për të ndihmuar papën në veprimtaritë e tij, sidomos në mbështetje të nevojtarëve.
Ndërmjet nismave të njohura të Rrethit, kujtojmë atë që njihet me emrin “Oboli i Shën
Pjetrit”.