2007-02-22 16:59:42

Papa Benedikti XVI i shpreh afërsi shpirtërore e mirëkuptim vëllazëror imzot Stanislao Vielgush, pas dorëheqjes si ipeshkëv i Varshavës.


(22.02.2007 RV)Këtë e bën përmes një letre drejtuar prelatit polak, që mban datën 12 shkurt. Letra u bë publike nga kardinali Jozef Glemp, primat i Polonisë, në takimin e Këshillit të përhershëm të Konferencës ipeshkvnore, mbledhur pardje në Varshavë, në vigjilje të Ditës së lutjes e të pendesës së klerit polak. Kjo ditë, e caktuar nga ipeshkvijtë më 12 janarin e kaluar, pas dorëheqjes së kryeipeshkvit të Varshavës, u kremtua dje me rastin e së Mërkurës së Përhime.
“Misioni ipeshkvnor sot, ashtu si në të kaluarën, nuk kryhet pa vuajtje” - i shkruan Papa imzotit Vielgush i cili – kujtojmë - më 7 janarin e kaluar dha dorëheqjen nga detyra e kryeipeshkvit të Varshavës, pasi mohoi e pastaj pranoi publikisht bashkëpunimin e tij me shërbimet sekrete të regjimit të kaluar komunist.
Në letrën e 12 shkurtit, si kujton rrethanat e jashtzakonshme në të cilat imzot Vielgush kryente shërbimin e tij baritor, kur regjimi komunist në Poloni përdorte të gjitha mjetet për të zhdukur çdo liri të qytetarëve e në mënyrë të veçantë, të klerit, Benedikti XVI e fton prelatin të vijojë me besim e qetësi veprimtarinë e tij në shërbim të Krishtit.
E dje mbarë Polonia u lut e bëri pendesë që shenjtëria e meshtarëve – ashtu siç kërkoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar – t’i mbushë të gjithë besimtarët me shpirtin e faljes, të pajtimit e të besimit reciprok. Sipas ftesës së ipeshkvijve polakë, dje në të gjitha Kishat e vendit u kremtuan Meshë për faljen e gabimeve e të ligshtive në kumtimin e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.