2007-02-22 16:59:24

Dialog në të gjitha fushat në Vatikan ndërmjet Benediktit XVI e famullitarëve romakë. Në qendër të ballafaqimit: transmetimi i fesë dhe baritoria me të rinjtë.


(22.02.2007 RV)RealAudioMP3 “Kënaqem që jam ipeshkëv i një dioqeze të madhe e që shikoj rreth meje kaq shumë meshtarë”. Me këto fjalë e nisi sot Benedikti XVI dialogun me famullitarët e Romës të cilët i priti sot në Vatikan. Ishte dialog i sinqertë, i zhvilluar në një atmosferë shumë të përzemërt, gjatë të cilit nuk munguan duartrokitjet e gjata e edhe çastet e humorit. Ati i Shenjtë vuri theksin sidomos tek përshpirtëria popullore e tek devocioni marian. Prandaj, si theksoi se shenjtëroret kanë rëndësi të dorës së parë për Kishën, Benedikti XVI kujtoi shtegtimet në shenjtëroren e Altötingut në tokën e tij bavareze, ku të rinjtë rizbulojnë vetëdijen e tyre të krishterë. E pikërisht punës baritore me rininë Papa i kushtoi pjesën kryesore të reflektimeve:
“E dimë se rinia duhet të zërë vendin e parë në shqetësimet tona baritore, sepse të rinjtë jetojnë në një botë që është larg Zotit. Në këto rrethana kulturore nuk është aspak e lehtë të takohesh me Krishtin e të jetosh si i krishterë i vërtetë. Të rinjtë kanë nevojë për shoqërim, që të mund ta gjejnë këtë rrugë” – tha Papa, e në vijim foli edhe për rëndësinë e leximit të Shkrimit Shenjt, të cilit do t’i kushtohet Sinodi i ardhshëm, me vetëdijën se në Krishtin gjejmë kyçin që hap të gjitha portat, e sidomos, atë që të çon te Kryqi.
E përsa i përket dialogut mbi drejtpeshimin personal në jetën shpirtërore e baritore, Papa u përgjigj me një humor të hollë:
”Ungjijtë thonë: “Ditën punonte, natën ishte mbi mal me Atin qiellor e lutej”. Më duhet t’ju rrëfej ligështinë time: unë nuk mund të lutem natën, sepse më vjen gjumë, e megjithatë pak kohë e lirë për Zotin duhet vërtetë…”.Së fundi Ati i Shenjtë theksoi edhe rëndësinë e artit kishtar, duke e quajtur katekizëm të gjallë e thesar, që e pasuron jashtzakonisht Italinë duke dëshmuar se Kisha, pavarësisht nga ligështitë e mëkatet e saj, ka qenë gjithnjë burim i madh frymëzimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.