2007-02-21 18:32:36

Në audiencën e përgjithshme Papa i ftoi besimtarët të pendohen e të zgjedhin dashurinë e Zotit në Kryq e jo realizimin e vetvetes.


(21.02.2007 RV)RealAudioMP3 "Krezhmët janë stinë shpirtërore e përshtatshme, që na krijon kushtet të ushtrohemi për ta kërkuar më me ngulm Zotin, duke i lënë mënjanë planet kalimtare të suksesit personal, për të zbuluar forcën e dashurisë së Hyjit e të mëshirës së tij për njerëzit e ligësht”. Janë këto disa nga mendimet e Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, të cilën ia kushtoi plotësisht kohës pendestare që nisi me të Mërkurën e Përhime. Siç ka ndodhur disa herë javët e kaluara, para se të mbante katekizmin në Sallën e Palit VI, Papa zbriti në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku u lut dhe u takua për disa çaste me grupet e shumta të nxënësve të shkollave e të shoqatave të të rinjve, të cilët i ftoi ta mirëpresin bujarisht Krishtin.
“Të kthehemi tek Zoti, sepse njeriu nuk është arkitekt absolut i fatit të vet e, si bir i Hyjit, mund të synojë shumë më tepër se vetrealizmi i tij. Të rizbulojmë se pas hijes së Kryqit është e fshehta e lumturisë, që duhet dëshmuar në çdo mjedis të jetës shoqërore”. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë të cilit, si çdo të Mërkure të Përhime, audienca e përgjithshme i krijoi mundësitë të përshkojë të gjitha shtigjet shpirtërore të Krezhmëve, sidomos në takimin me të rinjtë, të cilëve iu drejtua me fjalët:
“Të dashur të rinj, dëgjojeni këtë ftesë, sikur t’ia kishte drejtuar secilit nga ju vetë Krishti e pranojeni bujarisht. Duke përshkuar me besnikëri shtigjet e thepisura krezhmore, mund të fitoni vetëdijën e rreziqeve që kërcënojnë jetën tuaj shpirtërore e të merrni zemër ta realizoni me gëzim thirrjen tuaj të krishterë”.
Nga turma në Bazilikën e Shën Pjetrit – tek ajo në Sallën e Palit VI: këtu, duke theksuar disa herë konceptet-kyçe të Krezhmëve, Benedikti XVI shpjegoi se ky shtegtim pendese ungjillore nuk mund të kufizohet vetëm në një periudhë të veçantë të vitit, por duhet të shtrihet në gjithë harkun e jetës, duhet të ndjehet fuqimisht në çdo ditë të jetës sonë. E në këtë këndvështrim – vijoi Papa – Krezhmët janë stinë shpirtërore e përshtatshme për t’u ushtruar, duke ia hapur zemrën Zotit:
“Pendesa nuk është përpjekje për realizmin e vetvetes e njeriu nuk është arkitekt i fatit të tij të amshuar. Nuk jemi ne që e kemi bërë vetveten, prandaj vetrealizimi është jo vetëm kundërshti, por edhe tepër pak për ne: kemi një qëllim shumë më të lartë. Të kthehesh në rrugën e Zotit do të thotë të pranosh lirisht, me dashuri që të varesh në gjithçka nga Zoti, me bindjen se kjo nuk është varësi po liri. Të bësh kthesë do të thotë të mos rendësh pas suksesit vetjak, që kalon, por duke hequr dorë nga siguria njerëzore, ta ndjekësh me thjeshtësi e besim Zotin, në mënyrë që Jezusi të bëhet për të gjithë, ashtu siç ishte për të Lumen Nënë Terezë, që përsëriste vazhdimisht: “Krishti për mua është gjithçka”.
Edhe në Mesazhin e Krezhmëve Papa ka folur për dashurinë, që është e pranishme në mundimet e Kryqit, ndërsa në audiencën e përgjithshme theksoi:
“Po, të dashur vëllezër e motra, Kryqi është dëftimi përfundimtar i dashurisë dhe i mëshirës hyjnore edhe për ne, burrat e gratë e epokës së sotme, që shpesh hutohemi nga shqetësimet e interesat tokësore të çastit. Zoti është dashuri e dashuria e tij është e fshehta e lumturisë sonë. Por për të hyrë në këtë mister dashurie, nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj të Kryqit”.Përmbledhja e katekizmit në shtatë gjuhë, u ndërpre shpesh nga duartrokitjet dhe nga pjesët muzikore të përgatitura prej besimtarëve. Më pas Ati i Shenjtë përshëndeti grupet e pranishme, ndërmjet të cilave, grupi i ipeshkvijve të krahinës italiane të Umbries, që ndodhen në Vatikan për vizitë ’ad Limina’.







All the contents on this site are copyrighted ©.