2007-02-20 18:26:24


Së shpejti Kisha do të ketë 5 shenjtorë të rinj.


(20.02.2007 RV)Sipas njoftimit të mjeshtrit të Kremtimeve liturgjike papnore, Imzot Piero Marinit, të premten e ardhshme, më 23 shkurt, në orën 11, në sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik të Vatikanit, do të mblidhet Koncistori i zakonshëm publik, i kryesuar nga Papa, për shpalljen e pesë shenjtorëve të rinj.
Janë: Simoni nga Lipnica, polak i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, predikatar i shquar, njeri i fjalës e i veprimit, që dha ndihmesë të jashzakonshme gjatë një epidemie të murtajës, sëmundje nga e cila vdiq në vitet 1400. La një amanet prekës: ‘Të varrosej në prag të portës së Kishës, që ta shkelnin me këmbë të gjithë besimtarët’.
Do të shpallen shenjtorë edhe rregulltari pasionist holandez, Karlo Sant’Andrea, që jetoi në vitet 1800, apostull i ekumenizmit dhe rrëfyes i palodhur; rregulltari alkantarin brazilian Antoni i Shën Anës, që jetoi rreth viteve 1700-1800, themelues i kuvendit të Motrave Konçecioniste dhe rregulltarja kundruese franceze Maria Eugjenia e Jezusit, që jetoi në 1800-tën, themeluese e Motrave të Asuncionit.
Së fundi do të shpallet shenjt edhe meshtari maltez, Gjorgjio Preka, themelues i Shoqërisë të Doktrinës së krishterë, kushtuar edukimit të të rinjve, që jetoi në shekullin e kaluar. Porosia kryesore që u la dishepujve të tij, ishte: “T’i përngjisni Krishtit zemërbutë, sepse pikërisht zemërbutësia mund t’ia ndryshojë faqen botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.