2007-02-19 17:43:25

Trashëgimia katolike e Kosovës është harruar nga plani i Ahtisarit. Flet ipeshkvi.


(19.02.07 RV) Vetëm dy ditë nga fillimi i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit diplomatë perëndimorë shprehen se presin sjellje konstruktive nga palet. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur se procesi për statusin e Kosovës duhet të arrijë pa vonesa në fazën përfundimtare, sepse çdo vonesë mund të ketë pasoja në rritjen e tensioneve në Kosovë. Ndërkaq, zv.kryenegociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan, në një intervistë për gazetën vieneze “Korrieri”, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë alternativë reale ndaj propozimit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Ndërsa, Ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer mendon se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të marrë vendim për Kosovën, edhe nëse shqiptarët e Kosovës dhe serbët nuk arrijnë zgjidhje gjatë bisedimeve për planin e Marti Ahtisarit. Edhe Kisha Katolike në Kosovë, ka opinionin e saj përsa i përket këtij plani. Kryeredaktori ynë, don David Gjugja foli për këtë me ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergjin. Ta dëgjojmë… RealAudioMP3
Ndryshime në hartën politike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, trashëgimtare e luftës politike të Ibrahim Rugovës, ndryshon emër. Pas ndarjeve që ndodhën në Kuvendin e gjashtë zgjedhor të saj, që sot ajo do të quhet Lidhja Demokratike e Dardanisë. Vendimi u mor dje në Konventën e parë zgjedhore të kësaj partie, ku kryetar u zgjodh Nexhat Daci, kandidati i vetëm i propozuar.


Zëvendëskomisari i policisë së Kombeve të Bashkuara për krime, Trygve Kalleberg, përkohësisht është emëruar në krye të policisë së UNMIK-ut. Në një komunikatë thuhet se ky emërim do të jetë në fuqi deri në emërimin zyrtar të Komisarit të policisë së UNMIK-ut nga Sekretari i Përgjithshëm në bazë të procedurave të zakonshme, të cilat priten të zgjasin disa muaj. Kalleberg do të zëvendësojë Stefën Kurtis, që dha dorëheqjen pas ngjarjeve të dhunshme të 10 shkurtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.