2007-02-19 18:09:59

Papa fton për ta rizbuluar Sakramentin e rrëfimit.


(19.02.2007 RV)RealAudioMP3 Rrëfimi është një sakrament që duhet rizbuluar e ripropozuar, detyrë që meshtarët e kryejnë në emër të Kishës e për Kishën, si mjete aktive të mëshirës hyjnore e mbartës të mesazhit shëlbues të Krishtit.
Në epokën tonë, të ngarkuar me sfida fetare e shoqërore, duhet rizbuluar e ripropozuar Sakramenti i rrëfimit: kështu u shpreh sot Benedikti XVI në fjalimin drejtuar rrëfyesve të katër bazilikave të mëdha romake: të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Pjetrit në Vatikan, të Shën Palit jashtë mureve të Romës dhe të Shën Marisë së Madhe. Papa i porositi rrëfyesët ta rrënjosin në jetën e tyre mesazhin e shëlbimit, mbartës të të cilit janë si meshtarë të zgjedhur nga vetë Krishti.
Rrëfyesi është ndërmjetës i një ngjarjeje të mrekullueshme hiri: rilindjes shpirtërore, fryt i mëshirës hyjnore, që e shndërron njeriun e penduar në një krijesë të re. Zgjidhja e mëkateve në emër të Kishës e për Kishën, është mrekulli që mund ta kryejë vetëm Zoti, përmes fjalëve e gjesteve të meshtarit - tha Benedikti XVI dhe në vijim shpjegoi në mënyrë të veçantë kuptimin e ministerit që kryejnë rrëfyesit, duke saktësuar se në rrëfim meshtari vepron në përputhje e në bashkim me Magjisterin e Kishës.
“Ai bëhet shërbëtor i mëshirës ngushëlluese të Hyjit, vë në dukje realitetin e mëkatit e njëkohësisht shpreh pushtetin e pamasë përtëritës të dashurisë hyjnore, dashuri që rijep jetën”.
Kjo dashuri, që e kërkojnë shumë njerëz, mund të gjindet pikërisht në Sakramentin e pendesës, shtoi Papa:
“Sa njerëz, që kalojnë vështirësi, kërkojnë ndihmë e ngushëllim nga Krishti! Sa pendestarë gjejnë në rrëfim paqen e gëzimin, që e kërkonin prej kohe! Si mund të mos e pranojmë se edhe në epokën tonë, plot sfida fetare e shoqërore, ky Sakrament duhet rizbuluar e ripropozuar!”.
Duke mbarështuar Sakramentin e rrëfimit – vijoi Ati i Shenjtë – rrëfyesi nuk është spektator pasiv, por mjet aktiv i mëshirës hyjnore; është i thirrur të jetë atë e gjykatës shpirtëror, mësues e edukator:
Prandaj është e nevojshme që ai të ketë ndjeshmëri shpirtërore e baritore e, njëherësh, edhe përgatitje serioze teologjike, morale e pedagogjike, gjë që e bën të aftë ta kuptojë njeriun që rrëfen ngjarjet e jetës së tij. Është, pastaj, e nevojshme të njohë edhe mjediset shoqërore, kulturore e profesionale të atyre që gjunjëzohen në rrëfyestore, për t’u dhënë këshilla të vlefshme si dhe orientime shpirtërore e praktike”.
E pikërisht karakterin shpirtëror të ministerit të rrëfimit nënvizoi më pas Papa:
“Përveç urtisë njerëzore e përgatitjes teologjike, rrëfyesi duhet të ketë edhe një damar të thellë shpirtëror, të ushqyer nga bashkimi në lutje me Krishtin, Mësues e Shëlbues”.
Në përfundim Benedikti XVI theksoi se aftësitë njerëzore të rrëfyesit përforcohen nga hiri hyjnor në bashkimin e përvujtë e besnik me planet shëlbuese të Krishtit: “Për ta kryer këtë detyrë duhet, mbi të gjitha, të rrënjosim në shpirtin tonë mesazhin e shëlbimit e ta lëmë të na shndërrojë thellësisht. Nuk mund t’ia predikojmë faljen dhe pajtimin të tjerëve, në se nuk e ndjejmë më parë në shpirtin tonë. Krishti na ka zgjedhur, të dashur meshtarë, për të falur mëkatet në emër të Tij: është, pra, një shërbim i posaçëm kishtar të cilit duhet t’i japim përparësi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.