2007-02-19 18:09:46

Në Engjëllin e Tënzot Papa theksoi: “Dashuria për armiqtë nuk është ‘taktikë’ por thelb i mesazhit të krishterë.


(19.02.2007 RV)RealAudioMP3 Dashuria për armiqtë është e reja revolucionare që sjell Ungjilli. Në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI foli për ‘armët’ e të krishterëve. Të krishterët – tha Papa - duke luftuar kundër të këqijave të shoqërisë me armët e mirësisë e të drejtësisë, mund t’ia dalin mbanesh t’ia ndryshojnë faqen botës pa zhurmë, pa strategji të posaçme politike e ekonomike, por vetëm me besimin e patundur në mëshirën e pushtetshme të Hyjit. Më pas i ftoi besimtarët të luten për shenjtërinë e meshtarëve polakë, të cilët të Mërkurën e Përhime do të jetojnë një ‘Ditë lutjeje e pendese’ për gjithë klerin kombëtar.
Gjatë lutjes Papa bëri edhe thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut në Guine-Konakri, që këto ditë po tronditet nga tensione të forta të brëndshme.
“Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time shpirtërore një vendi afrikan që po jeton çaste vërtetë të vështira: Guinesë. Ipeshkvijtë e këtij kombi më kanë shprehur shqetësimin e tyre për një situatë paralize shoqërore, me greva të përgjithshme e reagime të dhunshme, që kanë shkaktuar viktima të shumta. Duke kërkuar respektimin e të drejtave njerëzore e qytetare – theksoi Papa - siguroj se lutem që impenjimi i përbashkët për të ecur në rrugën e dialogut të ndihmojë për kapërcimin e krizës”.
Ta duash armikun! T’ia kthesh edhe faqen tjetër, pasi të ka rënë shuplakë në njerën faqe! Kjo është e reja që sjell revolucioni i krishterë. Një e re që shumkujt mund t’i duket tepër e çuditshme, në mos po e papranueshme. Kjo e re shpesh interpretohet si shprehje e butësisë, e një pacifizmi të ligshtë. Po ky shpjegim nuk ka të bëjë fare me kuptimin e vërtetë të së resë ungjillore, e cila nuk e fton njeriun të dorëzohet para së keqes, por t’i përgjigjet së keqes me të mirën. Duke pasur parasysh Ungjillin e djeshëm, Benedikti XVI u ndal pikërisht tek njëri nga pohimet më themelore të Jezusit: “Duajini armiqtë tuaj! Po pse – pyeti Papa - Jezusi i kërkon njeriut një dashuri, që i tejkalon caqet e fuqive të tij?
“Në të vërtetë, propozimi i Jezusit është realist, duke pasur parasysh se në botë ka shumë dhunë, shumë padrejtësi e se kjo situatë nuk mund të kapërcehet, në se nuk i kundërvemë pak më tepër dashuri, pak më shumë mirësi. Kjo ‘pak më tepër’ vjen nga Hyji: është mëshira e Tij, që u mishërua në Jezusin, e vetmja forcë që mund ta kthejë botën e së keqes në rrugën e së mirës, duke nisur nga bota e vogël e vendimtare, që është zemra e njeriut”.
Me të drejtë – vërejti Benedikti XVI – kjo faqe ungjillore konsiderohet ‘magna charta’ e mospranimit kristian të dhunës. Në të duket e reja e Ungjillit, që e ndryshon botën pa bërë zhurmë. Ja – vijoi Ati i Shenjtë – që këtu buron heroizimi i të vegjëlve që besojnë në dashurinë e Zotit dhe e përhapin atë edhe me çmimin e jetës së tyre, duke coptuar kështu zinxhirët e padrejtësisë:
“Kuptohet, atëhere, se për të krishterët mospranimi i dhunës nuk është sjellje taktike, por mënyrë e të qenit të njeriut që është i bindur për dashurinë e Hyjit e për pushtetin e tij, që nuk ka frikë ta përballojë të keqen i armatosur vetëm me armët e dashurisë e të vërtetësisë. Dashuria për armikun është bërthama e ‘revolucionit të krishterë’, revolucion që nuk bazohet mbi strategjitë e pushtetit ekonomik, politik ose mediatik. Revolucioni i dashurisë, i një dashurie që nuk mbështetet plotësisht mbi forcat njerëzore, por është dhuratë e Hyjit, fitohet vetëm duke ia besuar vetveten pa asnjë kusht mirësisë së tij të mëshirshme”.
Në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë përshëndeti edhe disa vende të lindjes, duke shjeguar se dje këto vende kremtuan me gëzim e në gjirin e familjeve vitin hënor. Të gjithë këtyre popujve të mëdhenj – tha Papa – u uroj nga zemra paqe e begati.Së fundi Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të pendohen në këtë kohë Krezhmësh e, duke ecur në gjurmët e Virgjërës Mari, ta lëshojnë veten plotësisht në dorë të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.