2007-02-16 16:32:23

Sot Kisha përkujtoi Shën Julien e Nikomedisë, martire.


(16.02.2007 RV)Julia lindi rreth vitit 285 në Nikomedi, sot Izmir, në Turqi. Ishte e vetmja e krishterë në familje. I ati adhuronte me zell të madh hyjnitë pagane, ndërsa e ëma ndiqte të shoqin. Sapo i kishte mbushur 9 vjetët, familja e fejoi me prefektin e qytetit, një pagan me emrin Eleuzio. Sipas marrëveshjes ndërmjet dy familjeve, martesa do të bëhej sapo Julia të mbushte 18 vjet. Por ku vasha e mbushi moshën e martesës, u tha prindërve se do ta pranonte burrin që kishin zgjedhur për të, vetëm në se ai do të pagëzohej. I tërbuar nga ky ndryshim i paparashikuar i planeve, Eleuzio e paditi të fejuarën si e krishterë praktikante. Julien e burgosën dhe e dënuam me vdekje. Po ajo nuk hoqi dorë nga feja e saj. Iu pre koka në kohën e Masimianit. Ikonografia shpesh herë vendos pranë saj një djall, që e tundon. Por nuk mungojnë edhe ikonat, të cilat e paraqesin gjatë torturave që iu desh të pësonte sa qe gjallë për t’i qëndruar besnike Krishtit. Paraqitet kryesisht e varur për flokësh ose duke u djegur ndërmjet flakëve.
Nesër Kisha katolike do të kremtojë Shtatë Themeluesit e Urdhërit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari.
Sipas traditës, rreth vitit 1233, kur Firence tronditej nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë fiorentinë, anëtarë të një shoqërie ku bënin pjesë besimtarë të devotshëm të Virgjërës Mari, u tërhoqën në Malin Senario, pranë qytetit të tyre, duke iu përgjegjur thirrjes së Zotit për t’ia kushtuar plotësisht jetën. Braktisën shtëpitë e nisën të jetonin në lutje e pendesë, sipas modelit të Virgjërës Mari. Të gjitha pasuritë që kishin, ua ndanë të varfërve. Ndërtuan një shtëpizë e një orator kushtuar Zojës së Bekuar.
Nga kjo thirrje nisi lulëzimi i urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë.
Njëri nga të shtatët, Aleks Falkonieri, vdiq më 1310, por të tjerët vijuan veprën e tij. Kalonin një jetë të vështirë e vetmitare. Megjithatë nuk u largoheshin njerëzve që, të shtyrë nga ankthi e nga dyshimi, kërkonin prej tyre një fjalë ngushëlluese. Fama e shenjtërisë së maristëve u përhap aq shumë, sa me qindra vetë kërkonin të bashkohesin me ta. Prandaj vendosën të themelonin një urdhër, kushtuar Virgjërës Mari, pasi e kishin quajtur veten shërbëtorë të Nënës së Krishtit. Përshtatën Rregullën e Shën Agostinit. Më 1888 Papa Leoni XIII shpalli shenjtër 7 etërit e parë të Urdhërit, që janë varrosur në një varr të përbashkët në Malin Senario, aty ku patën jetuar së bashku. Mbi rrasën e këtij varri të thjeshtë, si jeta e tyre, lexojmë shtatë emra: Shën Bonfiglio, Shën Bonagiunta, Shën Maneti, Shën Amadi, Shën Sostenjo, Shën Uguçione, Shën Aleksi – që në shqip tingëllojnë pak a shumë: Birmiri, Bashkimiri; Dorarti, Ndihmëtari, Barabarti....Maristët tashmë janë me mision edhe në Shqipëri e pikërisht në Vlorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.