2007-02-16 16:02:23

Papa Benedikti XVI kërkon të mbrohet shkenca mjekësore nga manipulimet.


(16.02.2007 RV)Të mbrohet nga manipulimet shkenca mjekësore, e cila duhet t’i shërbejë të sëmurit ose njeriut që nuk mund të flasë, siç është fëmija i palindur: është kjo porosia kryesore e Benediktit XVI në mesazhin drejtuar takimit mbi Komunikimin në mjekësi, organizuar nga Universiteti Katolik i Romës.
“Lidhja ndërmjet mjekut e të sëmurit është një sferë që pret të zbulohet me fund, në mënyrë që profesioni i mjekut të mos kufizohet vetëm në kujdesin për vuajtjen fizike, duke injoruar tërësinë e njeriut, sepse kështu vihet në shërbim të manipulimit e të shtrembërimit të natyrës së vërtetë të mjekësisë”. Kjo thirrje e Benediktit XVI spikat në mesazhin e nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar pjesëmarrësve në takimin italian me temë “Komunikimi dhe ndërlidhjet në mjekësi; perspektiva të reja për mënyrën e ushtrimit të profesionit të mjekut”. Takimi dyditor, i organizuar nga Shoqata ‘Mjekësi, dialog e bashkim’ në bashkëpunim me ateneun, filloi sot në Universitetin Katolik të Romës.
Në mesazh Papa porosit të krijohen lidhje të vërteta me të sëmurin, për të mos e tradhtuar natyrën e vetë mjekësisë, e cila duhet të vihet plotësisht në shërbim të njeriut që vuan. E në këtë shërbim është e nevojshme të bashkëpunojnë ngushtësisht të gjithë aktorët e një strukture mjekësore, që nga ekipi që e ndjek të sëmurin, tek mjedisi familjar ku ai jeton. Më pas Benedikti XVI argumenton se do të ishte e gabuar të mendohet se ndërlidhja e mjekut me të sëmurin luan rol vendimtar për shërimin e njeriut në përgjithësi, sepse në këtë rast nuk do të kishte vend në botë për subjektet më të ligshta, siç janë fëmijët e palindur e njerëzit në prag të vdekjes, të cilët varen plotësisht nga qëndrimi i njerëzve të tjerë. Perspektivat e reja të mjekësisë - nënvizon Papa – duhet të vlerësojnë në radhë të parë njeriun, duke e vënë mbi vlerat e rreme, si aftësia për punë, për prodhim e për të qenë i pavarur, që imponohen gjithnjë më tepër nga shoqëria moderne.







All the contents on this site are copyrighted ©.