2007-02-16 16:38:01

Lajme nga bota.


(16.02.07 RV) Kryeministri palestinez, Ismail Hanijeh, ka deklaruar formalisht dorëheqjen e tij duke hapur kështu rrugën për krijimin e qeverisë palestineze të bashkimit kombëtar. Presidenti, Abu Mazen e ka ngarkuar sërish Hanijeh me krijimin e qeverisë së re brenda pesë javësh, ashtu siç u ra dakord në Mekë javën e shkuar. Me këtë akt shpresohet t'i jepet fund rivalitetit të ashpër mes dy organizatave palestineze, Hamas dhe Fatah.


Lideri i Al Kaidës në Irak, Abu Ajub al-Masri, është plagosur nga forcat e sigurimit gjatë përleshjeve në veri të Bagdadit, kanë bërë të ditur sot burimet e ministrisë së brendshme. Ndërkaq, vetëm në Bagdad janë gjetur 20 trupa pa jetë në 24 orë.

Kongresi amerikan voton sot rezolutën, që kundërshton planet e presidentit Xhorxh Bush për shtimin e trupave në Irak. Kryetarja e parlamentit, Nensi Pelozi deklaroi para mbledhjes, se fondet e reja që Bush ka kërkuar për luftën në Irak, do të miratohen vetëm nëse respektohen disa kushte në stervitjen, pajisjen me armë dhe në turnet e rojes të ushtarëve amerikanë.


Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs mbërrin nesër në Izrael për të përgatitur mbledhjen e së hënës së ardhshme në Jeruzalem, me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe me presidentin palestinez Abu Mazen. Të dielën, ajo do t’i takojë ata veç e veç, në Jeruzalem e Ramallah. Rajs deklaroi se qeveria e re palestineze që po formohet duhet të respektojë marrëveshjet e kaluara, të njohë Izraelin dhe të heqë dorë nga dhuna. Vetëm atëherë, bashkësia ndërkombëtare mund të rifillojë ndihmat ndaj palestinezëve.


Në Afganistan, një komandant taleban ka deklaruar se rreth 10 mijë guerrilas janë gati të kryejnë një sërë “atentatesh të përgjakshme” kundër trupave të NATO-s. Deklarata vjen menjëherë pas fjalimit të presidentit amerikan Bush, i cili dje njoftoi se Aleanca do të fillojë në pranverë një ofensivë kundër talebanëve. Bush u kërkoi vendeve anëtare të dërgojnë më shumë ushtarë në Afganistan.







All the contents on this site are copyrighted ©.