2007-02-16 16:37:11

Ahtisari për marrëveshjen serbo-kosovare mbi statusin: "Nuk u besoj mrekullive". U beson Ministri i brendshëm italian, Amato.


(16.02.07 RV) Kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari mori pjesë sot në Këshillin e NATO-s në Bruksel. Procesi për të ardhmen e Kosovës nuk mund të zgjatet pambarimisht; herët a vonë duhet të nxjerrim përfundime dhe t’ua paraqesim ato Kombeve të Bashkuara, tha Ahtisari në një konferencë shtypi të përbashkët me kreun e NATO-s, Jap de Hop Skefer. Natyrisht, sqaroi kryenegociatori për Kosovën, do t’i dëgjojmë edhe një herë palët, por pastaj duhet vendosur. “Nuk u besoj mrekullive”, tha ai për një konsensus të mundshëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Ndërkaq, në një marrëveshje të përbashkët për statusin e ardhshëm të Kosovës, beson Italia. Ministri i saj i Brendshëm, Xhuliano Amato, duke folur në një konferencë mbi zgjerimin evropian në Romë, sqaroi se problemi i Kosovës duhet zgjidhur me pavarësinë e saj, por kjo pavarësi duhet pranuar nga serbët dhe Rusia nuk duhet të ndërhyjë.
“Për Kosovën – shpjegoi Amato – duhet të kemi guximin ta përballojmë çështjen me të dyja palët: mbajtja e trupave evropiane atje, si të ishin forca kolonialiste nuk bën tjetër veçse i rrit vështirësitë. Dhe – shtoi – duhet t’i themi Moskës se po luan me Kosovën për arësye që s’kanë të bëjnë me atë vend”. Ndërsa Serbisë, vazhdoi sot Amato, “duhet t’i themi se problemi mund të zgjidhet vetëm me pavarësinë e Kosovës, e cila duhet të pranohet nga serbët. Nuk mund të merret një vendim i tillë, duke injoruar vullnetin e vendit, që formalisht ka të drejtë të konsiderohet sovran mbi Kosovën”. Negociatat, pranoi Ministri i Brendshëm italian, “janë të vështira, por Serbia nuk ka të ardhme jashtë Bashkimit Evropian”.
Amato foli më pas për perspektivat e integrimit evropian të Ballkanit perëndimor dhe të Turqisë. Kemi të bëjmë, vuri në dukje ai, “me një integrim shumë të ndryshëm nga vendet e tjera të Evropës Lindore, që hynë kohët e fundit në Bashkimin Evropian. Për to ka pasur një ndjenjë bashkimi familjar pas 40 vjetësh ndarjeje për shkak të regjimeve komuniste. Ato ishin shtete evropiane që ktheheshin në vathë pas viteve të vështira”. Për Ballkanin perëndimor, pra për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Serbinë e Kroacinë, dhe për Turqinë nuk është kështu. Sipas Ministrit italian, janë pak ata që mendojnë se Turqia është një motër evropiane, që kthehet në familje. Turqia konsiderohet në Evropë si një shtesë thellësisht e ndryshme, prandaj negociatat duhen parë si shkojnë nga dita në ditë. Përsa u përket vendeve ballkanike, “i kemi konsideruar si ata që prishin punë në familjen evropiane, siç e ka treguar Lufta I Botërore. Integrimi i tyre në Bashkimin Evropian nuk konsiderohet si diçka evidente”.
Misioni i Evropës për t’i shndërruar vendet në demokraci dhe për t’i kthyer në ekonominë e tregut, sipas Amatos, “duket më i vështirë për shtetet ballkanike, në krahasim me vendet e tjera të Evropës Lindore. Por, u shpreh i bindur Ministri i Brendshëm italian, ato duhet të hyjnë në Bashkimin Evropian”. Përndryshe do të rritej shumë pushteti i eksponentëve radikalë, që ekzistojnë në Ballkan.







All the contents on this site are copyrighted ©.