201 vjet më parë lindi Dom Pjetër Zarishi, meshtar e poet.
(16.02.2007 RV)Prifti dhe poeti atdhetar lindi në Blinisht, fshat në veri
të Shqipërisë, më 16 shkurt 1806. Mësimet e para i kreu në shkollat vendase klerikale
të kohës, studimet teologjike e filozofike i vijoi dhe i kreu në Romë. Menjëherë pas
shugurimit meshtarak, u kthye në Atdhe. Duke nisur nga viti 1831, shërbeu si prift
në Orosh të Mirditës, ku kreu njëkohësisht edhe punë të ndryshme kishtare administrative,
si sekretar i Dioqezit të Sapës. Krijues i talentuar, ai vijon traditën e filluar
nga poeti i parë i letrave shqipe, Atë Pali prej Hasi, duke shkruar një varg poezish
me përmbajtje biblike, patriotike e shoqërore, që zënë vend të merituar në Historinë
e Letërsisë Shqipe Një pjesë e vjershave të tij janë botuar te "Hylli i Dritës"
më 1914 dhe me 1936 nën kujdesin e fretërve françeskanë. Të tjerat mbeten në dorëshkrim.
Ndërmjet tyre kujtojmë "Kanga e Shqypnis", "Bylbylit"; "Kanga e Shebes" dhe një poezi
kushtuar derës fisnike të Gjomarkajve të Mirditës. Poezitë përshkohen nga ndjenja
të fuqishme të një shpirti të shqetësuar, që e jeton thellë tragjedinë e Atdheut të
pushtuar, të cilin dëshiron ta shikojë sa më parë të çliruar nga pushtuesi shumshekullor Vendin
kryesor në krijimtarinë e meshtarit e zënë poezitë me përmbajtje biblike: shkroi edhe
lutje poetike, himne e tekste këngësh fetare, për të cilat kishte aq shumë nevojë
populli i krishterë i Mirditës së varfër ku kryente misionin, sepse ato i shërbenin
si një katekizëm tepër i kuptueshëm e i lehtë për t'u mbajtur mend. Ndërmjet tyre
kujtojmë poezinë "Dita e Gjyqit". Dom Zarishi është një nga poetët e parë shqiptarë
që provoi me sukses tingëllimen dhe një sërë mjetesh të tjera të vargënimit, që pasuruan
metrikën shqiptare.Të dhënat flasin edhe për hartimin nga ana e tij të një fjalori
e të një gramatike të shqipes, të cilat, si shumë e shumë vepra të klerikëve shqiptarë,
kanë humbur gjatë persekutimeve që nuk i kanë munguar kurrë Kishës katolike.