Të zgjidhen me mjete paqësore tensionet mbi çështjen bërthamoren mes dy Koreve,këtë
i kërkoi Papa presidentit jugkorean Roh Moo-Hyun sot në Vatikan.
(15.02.2007 RV)Gara bërthamore
në gadishullin korean e shqetëson Selinë e Shenjtë e Benedikti XVI i fton të gjitha
palët të mos i vënë në rrezik negociatat në zhvillim e sipër, por përkundrazi, të
bëjnë ç’është e mundur që problemi të zgjidhet me rrugë paqësore, duke krijuar kështu
mundësitë që të hapet rruga për dërgimin e ndihmave humanitare në dobi të pjesës më
të ligshtë të popullsisë koreane. Për këtë bën thirrje Papa në letrën që ia dorëzoi
sot paradite presidentit të Republikës jugkoreane, Roh Moo-Hyun, të cilin e priti
në audiencë në Vatikan. Në letër preken edhe tema të tjera, si ajo e situatës politike
e shoqërore në Azinë Lindore, e evolucionit të procesit të pajtimit në gadishullin
korean si dhe tema e respektimit dhe e mbrojtjes të të drejtave të njeriut në këtë
zonë. Në takimin privat, që zgjati më pak se një gjysëm ore - sipas një note zyrtare
të Sallës vatikanase të Shtypit – u fol kryesisht për marrëdhëniet ndërmjet Selisë
së Shenjtë dhe Repubikës së Koresë si dhe për bashkëpunimin ekzistues ndërmjet Kishës
katolike dhe autoritetve civile.