2007-02-15 17:23:51

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Sigfridin.


(15.02.2007 RV)RealAudioMP3 Shenjti lindi në Angli në shekullin X, vdiq në Vaksjo të Suedisë, në vitin 1030.
Ipeshkvi misionar, me origjinë nga Anglia, u largua nga vendlindja në vitin 995. U vendos më parë në Norvegji e pastaj në Suedi. Bën pjesë në aradhet e misionarëve të krishterë të cilët nga Anglia, tepër katolike e epokës, u nisën për të ungjillëzuar popujt e Evropës veriore.
Si u largua nga vendi i vet, Sigfridi ipeshkëv nisi të predikonte Ungjillin në Suedi në kohën e mbretit Olav (vdekur më 1024). Sipas një gojëdhëne, që më vonë edhe u shkrua, ipeshkvi anglez arriti në Vërend përmes Danimarkës, ku predikoi fenë e krishterë e ndërtoi edhe Kishën e parë katolike.
U largua nga Vërendi së bashku me tre shokë misionarë e shkoi për të pagëzuar mbretin Olav Këtkonung. Sipas gojëdhënave që flasin për mbretërit suedezë, Olavi u pagëzua në gurrën e Husabi-t.
Kur u kthye përsëri në Vërend, Sigfridi nuk i gjeti më tre shokët te tij misionarë. Mësoi se të treve ua kishin prerë kokat.
Nga historia e ipeshkvijve suedezë mësojmë edhe se Shenjti ishte ipeshkvi i parë i Skarës e se nuk e ndërpreu apostullimin në Vaksjo, ku edhe vdiq në vitin 1030. U vendos që festa e Shën Sigfridit, kulti i të cilit deri në kohën e protestantizmit ishte tepër i përhapur ndër suedezë, të kremtohet më 15 shkurt. Kujtimi i tij vijon të ruhet në toponomastikë. Pranë Husabi-t janë dy burime, njëri nga të cilët quhet i ‘Shën Sigfridit’, ndërsa në kishën vendase nderohet akoma një shtatore që e paraqet me veshje ipeshkvnore e me një enë me tri kokat e shokëve të tij misionarë, në dorë. Shtatoret e tjera të Shën Sigfridit, që nderohen në kisha të ndryshme suedeze, janë realizuar në Mesjetën e vonë. Kaq dihet për Shën Sigfridin.







All the contents on this site are copyrighted ©.