2007-02-15 17:36:51

105-vjetori i daljes së numrit të parë të gazetës "Dielli".


(15.02.2007 RV)RealAudioMP3 Ky numër i ‘Diellit’, organ i Shoqërisë "Besa-Besë", doli më 15 shkurt 1902 në Boston. Ishte gazetë politike, shoqërore, kulturore, pedagogjike dhe ekonomike në gjuhën shqipe, me shkrime edhe në gjuhën angleze, e drejtuar nga Fan Noli.
Mjafton emri i madh i drejtuesit të saj të parë për të kuptuar sesa me vlerë qe kjo gazetë, e cila luajti një rol jo të pakët në ngjarjet më të rëndësishme kombëtare duke dhënë një ndihmesë të jashtzaknhsme për mbështetjen e çështjes shqiptare në SHBA e në mbarë botën.
Ta shfletosh koleksionin e gazetës "Dielli", është njëlloj si të shfletosh historinë shqiptare të një shekulli, që luajti rol vendimtar për krijimin e Shqipërisë si shtet. Eshtë histori plot vuajtje e dhimbje, por edhe plot përpjekje e ngjarje të mëdha, që fillon me një datë të lavdishme, siç është 28 Nëntori, dita e ngritjes së Flamurit në Vlorë; vijon me Luftën e parë Botërore, me krijimin e shtetit të parë shqiptar, me shpalljen e mbretërisë së Ahmet Zogut, me luftën e Dytë Botërore e vendosjen e diktaturës, gjatë së cilës gazeta "Dielli" ishte një nga zërat e pakta të lira, që denonconte para botës genocidin radikal që po kryente diktatura komuniste. Në faqet e saj gjen krijime të shquara letrare në poezi e prozë të disa prej mjeshtrave të letërsisë shqipe, gjen analiza, komente, kujtime, faqe historie, dukumente, dëshmi. Është, prandaj, një datë që meriton të kujtohet, ashtu siç meriton që "Dielli" të lexohet edhe sot e kësaj dite, kur numri i pafundëm i gazetave, vijon ta largojë lexuesin, i cili nuk gjen aty përgjigjet për problemet që e shqetësojnë. Gazeta "Dielli", me kryeredaktorin e saj të talentuar, Anton Çefën, dalë nga një gjysëm shekulli diktature, vijon të jetë tribunë luftarake në mbrojte të lirisë e të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.