2007-02-14 17:22:59

“Gratë dhanë një ndihmesë themelore për lulëzimin e krishterimit” këtë nënvizoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme.


(14.02.2007 RV)RealAudioMP3 Duhet njohur roli themelor i figurave femërore në historinë e krishterimit: ky është reflektimi kryesor i Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, të cilën ia kushtoi pikërisht grave që kumtuan Ungjillin në brezninë e parë të krishterë. Para audiencës, që u mbajt në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa u takua, në Bazilikën e Shën Pjetrit me një grup të madh besimtarësh nga Market, të kryesuar nga ipeshkvijtë markigjanë, që vijojnë vizitën ‘ad Limina’.
Gjatë katekizmit të audiencës, duke shpjeguar rolin e grave në shërbim të Ungjillit, Ati i Shenjtë theksoi se ato dhanë një dëshmi që nuk mund e nuk duhet harruar:
“Historia e Krishtërimit do të kishte pasur një zhvillim krejt tjetër, në se do të kishte munguar ndihma fisnike e shumë grave. Prandaj, siç shkruan edhe Paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II në letrën apostolike Mulieris dignitatem “Kisha e falënderon Zotin për të gjitha gratë e për secilën prej tyre.... si dhe për të gjitha shprehjet e gjenisë femërore, që janë shfaqur në rrjedhë të historisë ndërmjet popujve e kombeve”.
Më pas Benedikti XVI u ndalua tek roli i grave në bashkësitë e para të krishtera gjatë jetës tokësore të Jezusit dhe të breznisë së parë të të krishterëve. Ndonëse Jezusi zgjodhi si dishepuj më të afërt dymbëdhjetë burra – kujtoi Ati i Shenjtë – në numrin e dishepujve të tij ka pasur edhe shumë gra:
“Gra që luajtën një rol aktiv në kuadrin e misionit të Krishtit. Në radhë të parë mendja të shkon menjëherë te Virgjëra Mari, e cila me fenë e saj e me kujdesin e saj amtar, bashkëpunoi në mënyrë të pashembullt në veprën e shëlbimit tonë”.
Por pati edhe gra të tjera – vijoi Benedikti XVI – që kryen detyra të ndryshme rreth Jezusit. Papa kujtoi Gjovanën, Suzanën, motrat Maria e Marta. E pastaj Madalenën, e cila jo vetëm që ishte e pranishme në mundimet e Krishtit, por qe edhe dëshmitarja si edhe kumtuesja e parë e Ngjalljes së Krishtit, duke luajtur kështu një rol aq të rëndësishëm, sa ta shtyjë Shën Tomën e Akuinit ta quajë “apostulle e apostujve”. Edhe në mjediset e Kishës të të krishterëve të parë – shtoi Ati i Shenjtë – prania e grave nuk është aspak e dorës së dytë. Shën Pali Apostull – shpjegoi Papa- e pranon si gjë normale që gruaja të profetizojë, dmth të shprehet lirisht nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkësinë e krishterë. Prandaj – sqaroi Benedikti XVI – mendimi sipas të cilit gratë në asamble duhet të heshtin, ka vlerë relative. Nga ana tjetër – vijoi të komentonte Papa – duhet kujtuar edhe se gratë, ndryshe nga të Dymbëdhjetët, nuk e braktisën Jezusin në orën tragjike të mundimeve mbi Kryq.
Më pas Benedikti XVI kujtoi përsëri se Apostulli i Popujve flet për një farë Febe, grua e përgatitur si diakonos në një nga portet në lindje të Korinthit, shenjë që tregon se edhe gratë ushtruan detyra me përgjegjësi në shërbim të mbarë bashkësive të para të krishtera.
Kujtojmë se në audiencën e përgjithshme morën pjesë edhe familjarët e ushtarëve izraelitë të rrëmbyer verën e kaluar në Liban e në Gazë, të cilët i dorëzuan një letër Atit të Shenjtë. I pranishëm edhe një grup prej 70 fëmijësh irakianë, të ftuar në Spanjë nga shoqata “Lajmëtarë të paqes”.
Në çastin e përshëndetjeve, duke iu drejtuar besimtarëve polakë, Ati i Shenjtë kujtoi festën e sotme të vëllezërve shenjtorë, Apostujve të popujve sllavë, Çirili e Metodi, Pajtorë të Evropës. Me ndërmjetësinë e tyre – theksoi Papa – i lutemi Zotit që Kombet evropiane të bëhen gjithnjë më të vetëdijshme për rrënjët e tyre të krishtera.
Kujtojmë rishtas se Benedikti XVI e filloi veprimtarinë e sotme me takimin në bazilikën e Shën Pjetrit, ku e pritën 12 mijë besimtarë markigjanë, ardhur në Romë me rastin e vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve të Markeve. Atyre, që e rrethuan me një atmosferë shumë festive, Papa u drejtoi një përshëndetje nga më të përzemërtat:
“Në atmosferën aktuale të pluralizmit kulturor e fetar – u tha Ati i Shenjtë - vërehet se mesazhi i Krishtit nuk njihet nga të gjithë. Prandaj çdo i krishterë është i thirrur ta kumtojë e ta dëshmojë me zell të ri Ungjillin e Krishtit”.Prej këndej, ftesa drejtuar ipeshkvijve që të mos i kursejnë përpjekjet për të edukuar njerëz me baza të shëndosha të krishtera, në mënyrë që të gjitha kategoritë e besimtarëve të jenë të përgatitur për t’i marrë me fryt sakramentet, ushqim pa të cilin nuk mund të kuptohet thellimi në fe. Të mos harrojmë – porositi në përfundim Ati i Shenjtë - se edukimi fetar duhet të jetë i tillë, që t’u bëjë ballë sfidave e joshjeve të një shoqërie tashmë thellësisht të shekullarizuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.