Festa e Apostujve të popujve sllavë, Çirilit e Metodit, bashkëpajtorë të Evropës.
(14.02.2007 RV)Në pagëzim u quajtën
Kostantin e Mikel e ishin të bijtë e Leonit, gjykatës në Selanik. Çirili e Metodi
janë emrat e tyre murgarë. Çirili, më i riu, u edukua në Kostantinopojë së bashku
me perandorin e ardhshëm, Mikelin III. Quhej filozofi, sepse jepte mësime filozofie.
Metodi, ndërkaq, ishte epror në një manastir në Bitinie mbi malin e Olimpit, pasi
kishte qenë qeveritar në një nga provincat e perandorisë. Shën Çirili e Shën Metodi
qenë vëllezër gjaku e vëllezër apostullimi. Porsá morën urdhërin e meshtarisë, kaluan
në Moraví për të predikuar Ungjillin. Qenë këta të parët, që sajuan alfabetin sllav,
të quajtur më vonë çirilik dhe që përkthyen në gjuhën sllave Shkrimin Shenjt e Liturgjinë.
U dukën në skenën e historisë, në shekullin IX, kur perandori Mihali III i Kostantinopojës
i dërgoi princit Rastislav të Moravisë, dy ungjillëzuesit që kishte kërkuar. Niste
kështu ungjillëzimi i dy vëllezërve Selanikas, Çirilit e Metodit, apostuj të mëdhenj
të Lindjes. Rastislavi dëshironte misionarë nga Kostantinopoja, sepse nuk u besonte
predikatarëve “latinë”- siç i quante ai, e sidomos atyre me origjinë gjermanike. Së
bashku me dy vëllezërit, u nisën edhe disa bashkëpunëtorë, ndërmjet të cilëve edhe
Shën Klementi, që duhet të kishte kryer studime serioze, sepse u bë bashkëpunëtor
i ngushtë i Metodit në veprimtarinë për përshtatjen e liturgjisë së Lindjes në gjirin
e popullsive që ktheheshin pak nga pak në fenë e krishterë. Vite me radhë dy vëllezërit
selanikas shtegtuan nga Moravia në Panoni (Hungaria e sotme), nga Roma në Serbinë
e sotme. Ungjillëzimi i Evropës lindore vështirësohej nga rivalitetet politike. Misionarët
gjermanikë shikoheshin me mobesim, si vegla në duart e princërve të tyre. E njëjta
gjë ndodhte kur ndokush niste ungjillëzues nga Lindja në emër të krishtërimit “latin”.
Mosmarrëveshjet nganjëherë bëheshin aq të ashpra, sa i detyronin Shenjtorët vëllezër
të largoheshin në drejtime të tjera. Kështu dy Shenjtorëve vëllezër iu desh të
vuajnë shumë, por ia dolën të kthejnë në fé popuj e fise sllave. Si u thirrën në Romë,
Çirili vdiq me 14 shkurt 869, ndërsá Metodi u shugurua ipeshkëv e u kthye në Panoní,
ku vazhdoi misionin si legat i Selisë së Shenjtë pranë popujve të rinj të kristianizuar
prej tij. Vdiq në Velehrad të Çekisë me 6 prill 885.Me 31 dhjetor 1980 Papa Gjon Pali
II i shpalli Bashkëpajtorë të mbarë Europës, së bashku me Shën Benediktin.