2007-02-13 17:29:10

Mesazhi i Krezhmëve i Benediktit XVI: në Kryq shikojmë shembullin më të ndritur të ‘agape-s’ e të ‘eros-it’ të Hyjit për njeriun. Papa i fton të krishterët t’i jetojnë Krezhmët duke mbrojtur dinjitetin e njeriut.


(13.02.2007 RV)RealAudioMP3 Krishti që vdes mbi Kryq është zbulesa më tronditëse e dashurisë së Zotit: tregon njëkohësisht si agape-n e Hyjit, dmth dhuratën e dashurisë që i bën njeriut – ashtu dhe forcën e eros-it hyjnor, dmth dëshirën e Zotit që njeriu ta pranojë dashurinë e tij. Ky mësim i Benediktit XVI përbën thelbin e Mesazhit të tij për Krezhmët që do të fillojnë më 21 shkurtin e ardhshëm. E Papa kërkon që Krezhmët të jetohen si ‘kohë eukaristike’ dmth duke iu kundërvënë me gjithë zemër çdo gjëje që fyen dinjitetin njerëzor.
Krezhmët 2007 kanë në qendër të vëmendjes dramën e Kalvarit, misterin e dashurisë që kryhet mbi Golgotë, zbulesën e agape-s e të eros-it të Hyjit, me të cilat Zoti e do njerëzimin. Koha e Krezhmëve – kujton Papa në përfundim të Mesazhit – është e duhet të jetë përvojë e re e dashurisë së Hyjit, që na dhurohet në Krishtin. Por cila është cilësia e kësaj dashurie? Ç’kuptojmë nga kjo agoni e nga ky flijim, mbi të cilin të krishterët janë të thirrur të reflektojnë që prej dymijë vjetësh? Benedikti XVI depërton në këtë mister ‘gjaku e uji’ me forcën e intuitës, që ndjehet fuqimisht edhe në magjisterin e enciklikës ‘Deus caritas est’. E këtë e bën duke u nisur nga dy terma, që plotësojnë njëra-tjetrën: agape e eros.
Termi ‘agape’ – shpjegon Ati i Shenjtë – tregon dashurinë flijuese, që përpiqet vetëm për të mirën e tjetrit, ndërsa termi ‘eros’, dashurinë e atij që dëshiron të zotërojë çka i mungon dhe synon të bashkohet me njeriun e dashur. Dashuria me të cilën na rrethon Zoti është pa dyshim ‘agape’ vëren Benedikti XVI, sepse njeriu, me gjithçka ka, s’është tjetër veçse dhuratë hyjnore: prej këndej, krijesa ka nevojë në gjithçka për Zotin. Por dashuria e Zotit – pohon Papa, është edhe eros. E kjo, më shumë se kudo tjetër, shprehet në Kryq. Pikërisht mbi Kryq – shkruan Benedikti XVI - dëftohet plotësisht pushteti i papërmbajtshëm i mëshirës së Atit qiellor: vdekja, e cila për Adamin e parë ishte shenja më e skajshme e vetmisë dhe e pafuqisë, në Jezusin, Adamin e Ri, shndërrohet në akt të skajshëm të dashurisë dhe të lirisë. Prej këndej Papa pyet: “E ku mund ta gjejmë një ‘eros’ kaq të jashtzakonshëm si ky, që e shtyu Birin e Zotit të bashkohet me ne deri në atë pikë, sa të marrë mbi vete vuajtjet, pasojë e krimeve tona? Po Benedikti XVI shkon edhe më tej: “Mund të themi - vëren – se dëftimi i eros-it të Zotit për njeriun është shprehje supreme e agape-s së tij. Në të vërtetë, vetëm dashuria në të cilën bëhen një dhurimi pa kurrfarë interesi i vetvetes me dëshirën e pasionuar të reciprocitetit, krijon një dehje të tillë, që i bën të lehta deri flijimet më të rënda”.
Në këtë kuptim, përgjigja që Zoti pret nga ne – nënvizon Papa – është mbi të gjitha që ne ta pranojmë dashurinë e tij e ta lemë veten që Hyji të na tërheqë. E menjëherë pas kësaj, të impenjohemi t’ia komunikojmë edhe të tjerëve. Për të krishterin ‘T’i sjellësh sytë nga Ai që e shporuan” - e ky është edhe titulli i Mesazhit të Benediktit XVI – do të thotë t’ia hapësh zemrën të tjerëve, duke njohur plagët që i shkatohen dinjitetit të njeriut e të luftosh – përfundon Papa – kundër çdo forme të përbuzjes për jetën e të shfrytëzimit të njeriut si dhe të lehtësosh dramat e vetmisë e të braktisjes së shumë njerëzve”. Mesazhi i Benediktit XVI për Krezhmët 2007 u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Gjatë paraqitjes folën imzot Paul Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, imzot Karel Kastel dhe imzot Giovani Pietro Dal Tozo, përkatësisht sekretar e zevendës-sekretar i të njëjtit dikaster vatikanas si dhe don Oreste Benzi, kryetar i Fondacionit Gjoni XXIII.







All the contents on this site are copyrighted ©.