2007-02-12 12:09:28

“Të mos i lemë të braktisur e të vetmuar vëllezërit tanë që vuajnë”- tha Papa në përshëndetjen drejtuar të sëmurëve.


(11.02.2007 RV)RealAudioMP3 Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar sidomos festën e Zojës Lurdë dhe kremtimin e Ditës XV botërore të të sëmurit.
Pasdite, pas Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit, kushtuar Ditës botërore të të sëmurit, kryesuar nga kardinali–vikar për Romën, Kamilo Ruini, Ati i Shenjtë zbriti për të përshëndetur të sëmurët e shumtë, që ishin mbledhur në Bazilikë dhe asistentët e tyre, posaçërisht anëtarët e UNITALSI-t, që organizojnë shtegtimet e të sëmurëve dhe institucionet e tjera që u qëndrojnë pranë, në radhë të parë, familjarët. Duke kujtuar festën e sotme të Zojës Lurdë, Ati i Shenjtë nënvizoi se Virgjëra Mari, që e shoqëroi të Birin deri në Kryq, duke marrë pjesë në vuajtjet e Tij, na nxit ta jetojmë me besim përvojën dhimbjes e të sëmundjes, duke ia ofruar me fe të gjallë Atit qiellor, për të plotësuar kështu në trupin tonë çka u mungon mundimeve të Krishtit.
Si foli fjalë ngushëlluese për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të rënda e të pashërueshme, Ati i Shenjtë kujtoi se pikërisht atyre u kushtohej Dita e sotme botërore e të sëmurit dhe bëri thirrje:
“Ka rëndësi të mos braktisen e të mos lihen në vetmi, ndërsa u duhet të përballojnë një çast kaq delikat të jetës së tyre”. Kështu u shpreh Papa - e në vijim vlerësoi lart të gjithë ata që, si Samaritani i mirë, me durim e dashuri, venë në shërbim të të sëmurëve aftësitë profesionale e ngrohtësinë njerëzore.
Ati i Shenjtë u shpjegoi edhe një herë besimtarëve se në fytyrën e çdo njeriu, aq më tepër kur është e shpërfytyruar nga sëmundja, ndrin fytyra e Krishtit, i cili vijon të na kujtojë: “Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezëve të mi, ma keni bërë mua”.
Duke kujtuar procesionin me qirinj ndezur, që do të organizohej pas Meshe, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi në Shpellën e Masabielës, në Lurdë, ku takohen dhimbja e shpresa, frika e besimi e ku mijëra shtegtarë gjejnë forcën për të bërë vullnetin e Zotit, edhe kur u duhet të përballojnë dhimbje të padurueshme. Qiriu që mbani në dorë – i uroi Papa të sëmurët dhe asistentët e tyre – qoftë për ju simbol i dëshirës së sinqertë për të ecur me Krishtin, qoftë vezullim paqeje që davaritë errësirën e na nxit edhe ne të bëhemi dritë e mbështetje për njeriun që kemi pranë. Asnjeri, e posaçërisht ai që vuan, të mos e ndjejë veten të vetmuar e të braktisur – tha në përfundim Benedikti XVI - të gjithë ia besoj sonte Virgjërës Mari, e cila, si provoi dhimbjet më të tmerrshme, u ngjit në qiell, ku na pret e ku shpresojmë se një ditë do të gëzojmë bashkë me Të, lumninë e Birit të saj hyjnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.