2007-02-12 15:52:35

Sot Radio Vatikani përkujtoi 76-vjetorin e fillimit të transmetimeve.


(12.02.2007 RV)RealAudioMP3 Janë fjalët e shqiptuara më 12 shkurt 1931 nga Gulielmo Markoni, shpikës i radios dhe nga Piu XI, që i përuroi transmetimet me radiomesazhin e tij drejtuar botës në praninë e Atë Gjuzepe Gjanfrançeskit S.J., drejtor i parë i emitentes.
Kanë kaluar 76 vjet që nga ajo ditë, po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës, duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike e kulturore e duke rrokur mbarë kontinentet me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, më 12 shkurt 2006, Benedikti XVI që do ta vizitonte Radion pak ditë më pas, më 3 mars 2006, nënvizoi:
“... me mjetin e radios e pastaj të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”.
Benedikti XVI është papa i gjashtë që vizitoi Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore; Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, nisur nga paraardhësi i tij dhe Gjon Palit II. E Benedikti XVI gjatë vizitës, së tij, përuroi pllakën përkujtimore kushtuar pikërisht “Kardinalit Vojtila” në Studion 3, ku Papa i ardhshëm i pati dhënë mbi 30 intervista Programit Polak pranë Radio Vatikanit.Sot Radio Vatikani, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të përparuar të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm për 76-vjet: të çojë, me mikrofonet e saj, në botë, zërin e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë. Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore.







All the contents on this site are copyrighted ©.