78-vjetori i themelimit të Qytetit të Vatikanit që përkon me paktet lateranense të
1929-tës.
(11.02.2007 RV)Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes
së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur
kështu në cakun e harmonisë shoqërore. 11 shkurti, përvjetori i Pakteve Lateranense,
mbetet një ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi "fundin e kundërvënies ndërmjet
shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin
e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të atdheut. Këto
dokumente i dhanë fund ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke
krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në
jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si katolikë në të gjitha fushat e jetës.
Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan
Selia e Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet
mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha, e cila në çdo vend e në çdo
kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut. Konkordati ndërmjet Italisë dhe
Selisë së Shenjtë, njohje reciproke ndërmjet dy palëve, shikohet si model për Evropën.
Marrëveshja, tashmë e konsoliduar, ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, me Konkordatin
e rishikuar më 1984, në përkim me mësimet e Konçilit dhe me pjekurinë demokratike
të vendit, mund të bëhet një model i vërtetë për Evropën, për të përcaktuar rregulla
të qarta në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa
e tyre.Kështu Kisha fitoi të drejtën e plotë për zhvillimin e misionit të saj fetar
dhe, në të njëtën kohë, për të punuar në shërbim të paqes dhe të progresit të popujve.
Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për
njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive
qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në kontinent. Ajo që ishte arritja
e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që po lind.