2007-02-10 16:44:18

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të “C”: Të lumtur ne me kryqa tonë të lumturisë.


(10.02.07 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Të dashur dëgjues e vëllezër e motra në Krishtit, Hyji Atë ka dashur ta ndriçojë popullin e tij me Jezusin të Birin e vet, dritë e botës që shndritë udhën tonë. Këtë të diele në liturgjinë Hyjnore ne kremtojmë përdëllimin e Zotit që është bërë i varfër për të na liruar nga pasuritë tona falco, mashtruese. Vlerat e vërteta dhe vlerat e rreme, të gënjeshtërta. Këto pra janë temat dominuese të leximeve biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele.
Me shpalljen e Lumnive Ungjillore (sikur do të dëgjojmë nga pjesa e Ungjillit Lk 6,17-20-26 të kësaj së diele më vonë) kumtohet realizimi, mishërimi i premtimeve mesianike: kush aderon në to e ka gëzimin e shpëtimit, kush nuk aderon, dmth kush nuk i bënë të vetat, nuk hyjnë, nuk do të jetë e as nuk do të mund të marrë pjesë në historinë shëlbimpruese.
Përmes Lumnive Ungjillore, Jezusi orvatet ti ndihmojë njerëzit ti zbulojnë planet e Zotit që fshehen në thellësinë e zemrës së tyre apo që shfaqen gjatë rrjedhës së historisë. Fjalimi i Limnive është ligji kushtetues i Mbretërisë Hyjnore që Ai (Jezusi) erdhi për të rivendosur, dmth mesazhi themelor i Shpëtimit dhe i çlirimit që solli në botë e të cilin ia komunikojë njerëzve. Ky kumtim e ky çlirim rrjedhin nga Jezusi dhe përbëjnë thelbin e mësimit të Tij Hyjnor. Ky predikim e çlirim kalon përmes Apostujve e prej tyre arrijnë deri tek të gjithë njerëzit. Jezu Krishti ka ardhë në botë për të ripërtëri të gjitha sendet në drejtësi e në dashuri. Kështu pra, shpresa e vetme e lumturisë sonë të plotë dhe e shpëtimit të përjetshëm është vetëm në Zotin. Fjala e Zotit në këtë të diele na thërret e nxit të jetojmë sikur ka jetuar Jezusi, pa idhuj të rremë e pa siguri të kota.
Lumnitë e Jezusit nuk janë thirrje për të ikur nga bota apo për të mos u impenjuar, por thirrje për të jetuar në risi kohën dhe të gjitha të mirat që Zoti na i ka dhuruar, përherë në bashkim e përkim me Krishtin, kurdoherë në kërkimin të vazhdueshëm të pèrmirësimit të kushteve të jetës sa më njerëzore, sa më dinjitoze për të gjithë njerëzit, e në mënyrë të posaçme për ata janë nevojtarë.
Lumnitë Ungjillore na tregojnë udhën e jetës së jetuar në liri, larg prej çdo egozimi, për të mundur të mirremi vetëm me Mbretërinë e Zotit. Sepse aty ku pranohet Zoti, mësimet e Tija e Mbretëria e Tij Hyjnore, aty askush nuk e shfrytëzon më të varfërin, askush nuk bie më në egozim; aty marrim fund shtypjet, përndjekjet e racizmi. Kështu nga kjo faqe e mrekullueshme e Ungjillit që na sjell Lumnitë e shpallura nga Krishti, besimtari merrë bindjen e shpërblimit qiellor. Thënë shkurt, fjalimi (Lumnitë) i Jezu Krishti shqiptuar mbi një mal para turmës së popullit që e dëgjonin, është risia, është revolucioni i Tij shpirtëror: është kënd vështrimi i Zotit, që Krishti na ka bërë ta njohim, i cili edhe na mëso një mënyrë tjetër e të re të të qenurit njerëz. Një mënyrë tjetër e të re të qenurit vëllezër mes nesh. Lumnitë Ungjillore flasin për Zotin: ai mbështetët në ata njerëz të cilët historia nuk i përfillë, Zoti i zgjedhë të vegjëlit, të uriturit, të refuzuarit, të nëpërkëmburit, ata që qajnë. Po, njeriu larg Zotit është bërë i këtillë. Këta janë emërat e Adamit, e Zoti edhe një herë ri-fillon nga Adami i vet, edhe një herë ri-fillon prej një grushti të dheut. Takim ky i ri i mistershëm mes varfërisë sonë e pasurisë së Tij Hyjnore. “Vaj për ju, të pasur” – thotë Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele. Nuk është kërcnim, por ankim. Eshtë ankimi e vajtimi i Jezusit: bota nuk do të avancojë, nuk do të përparojë përmes atyre personave që grumbullojnë denarë (të mira materiale), toka e re nuk do të lulëzojë prej duarve të atyre që janë të ngirë. Kush është i ngimun nuk krijon, nuk dhuron, nuk ndanë por mbrohet, izolohet prje tjerëve. Prej duarve të njerëzve të tillë do të lulëzojë vetëm uri e re, vetëm dhunë e re.
Kështu, Lumnitë Ungjillore janë thirrje e fuqishme e na kujtojnë se: jeta jonë është pa fryte, se duhet të kuptojmë se të mirat nuk janë për posedim, por për dhurim: se ka uri që duhet ngi, e lotë që duhet shfij: ky është projekti që e ndihmon përparimin e vërtetë të njerëzimit e ndryshimin e shoqërisë. Krishtërimi, sikur dëshmojnë Lumnitë Ungjillore, është shpallje e këtij rendi të ri të mundshëm të marrëdhënieve ndër-njerëzore, sipas porosisë së Jezusit.Ti dëgjojmë leximet biblike e pastaj komentin nga don Arian Shkurti nga TiranaRealAudioMP3


 



 







All the contents on this site are copyrighted ©.