Vizione të ndryshme ndërmjet Rusisë dhe NATO-s në Sevilje të Spanjës e lajme të tjera.
(09.02.07 RV) T’i kthehemi
edhe një herë mbledhjes së NATO-s në Sevilje të Spanjës, për të specifikuar qëndrimin
rus ndaj çështjeve të tjera të Aleancës, përveç Kosovës. Ministri i Mbrotjes, Sergej
Ivanov sqaroi edhe se Moska nuk është dakord me NATO-n në disa fusha, që kanë të bëjnë
me vendosjen e raketave amerikane në qendër të Evropës, me debatin e vjetër mbi një
bazë ruse në Molldavi dhe me dështimin e ratifikimit të një traktati, që kufizon armët
konvencionale, nga vendet e Paktit të Atllantikut. Ivanov theksoi impenjimin rus për
të ndihmuar Aleancën në Afganistan, duke rishikuar borxhin prej 10 miliard dollarësh
që vendi i ka Rusisë, por nënvizoi se marrëveshja për bashkëpunimin 5-vjeçar ndërmjet
ish-fuqive të Luftës së Ftohtë nuk po shkon përpara ashtu siç duhet. Ministri rus
i Mbrotjes, që shihet si pasardhës i presidentit Putin, propozoi një takim ndërmjet
Rusisë dhe NATO-s në qershor në Shën Pjetërburg. Ai paralajmëroi se Rusia do të krijojë
një “sistem strategjik”, që do të kapërcejë çdo lloj sistemi kundër raketave, por
nguli këmbë se Moska nuk do të fillojë garën e armatimeve me SHBA-të.
Gjermania,
si presidente e turnit e Bashkimit Evropian përshëndeti arritjen e marrëveshjes
në Mekë, ndërmjet grupimeve rivale politike palestineze, Hamas dhe Fatah. Formimi
i një qeverie të bashkimit kombëtar, nënvizoi ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer,
është një hap në rrugën e drejtë për t’i dhunë fund dhunës kundër Izraelit e për të
vazhduar dialogun e hapur nga presidenti palestinez, Abu Mazen me Tel Avivin. Kryeministër
i qeverisë së re do të mbetet Ismail Hanijeh nga Hamasi, ndërsa në postin e ministrit
të brendshëm dhe atij të jashtëm do të emërohen persona të pavarur.
Tensione
të reja në zemër të Jeruzalemit. Sot në Sheshin e Xhamive pati ndeshje të ashpra
pas lutjes së madhe që myslimanët bëjnë ditën e premte. Qindra palestinezë – që protestonin
kundër vendimit të izraelitëve për të filluar punimet ndërmjet Murit të Lotëve e Portës
së Magrebit – u ndeshën me forcat e policisë të shtetit hebraik. Pati disa të plagosur.
Izraeli parashikon të ndërtojë një urë të re metalike, nga Sheshi i Murit të Lotëve
deri te Porta e Magrebit dhe sheshimin e një kodrine me interes të mundshëm arkeologjik.
E kjo ngjalli reagimet e fuqishme të mjediseve palestinese, të botës islamike e të
vendeve të moderuara arabe, si Egjipti e Jordania. Bashkimi Evropian mban një
derë hapur për Iranin, pavarësisht se mbështet plotësisht sanksionet e OKB-së
kundër Republikës Islamike, për shkak të programit të saj bërthamor. Në kuadrin e
këtij vizioni, ka mundësi të takohen të dielën në Mynih, shefi i politikës së jashtme
të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe negociatori iranian për programin bërthamor,
Ali Larijani. Bisedimet zhvillohen ndërsa vazhdon në Mynih Konferenca evropiane për
sigurinë, e cila ka filluar sot.