2007-02-09 16:48:58

Ambasadori i ri i Kolumbisë pranë Selisë së Shenjtë paraqiti letrat kredenciale.


(09.02.2007 RV)RealAudioMP3 Në fjalimin drejtuar diplomatit të ri kolumbian pranë Selisë së Shenjtë, Huan Gomex Martinez, Papa vuri në qendër të vëmendjes krizën e rëndë humanitare, shkaktuar nga konflikti shumvjeçar i brendshëm dhe shpresat për paqe e pajtim. Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin për krizën e shoqëroro-politike që vijon në vendin latino-amerikan dhe u bëri thirrje katolikëve të mbrojnë, në ligjet e shtetit, parimet e Ungjillit dhe të drejtën natyrore.
Kolumbia – kujtoi Papa – është vend i dalluar për identitetin e tij katolik. Kisha vendase - siç e theksoi edhe ambasadori i ri – zhvillon një veprimtari të rëndësishme në favor të pajtimit. Në çastet vendimtare të jetës kombëtare, ngre zërin për të shpjeguar cilat janë bazat e pazëvendësueshme të progesit të vërtetë njerëzor e të bashkëjetesës paqësore, duke i nxitur katolikët dhe njerëzit vullnetmirë të vijojnë ecjen në rrugën e faljes dhe të përgjegjësisë së përgjithshme për vendosjen e drejtësisë.
Në vijim Benedikti XVI shprehu shqetësimin për situatën e ndërlikuar politike e shoqërore të Kolumbisë, posaçërisht për problemet e mprehta që kanë të bëjnë me mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, të jetës, të unitetit të familjes, të zhvillimit të drejtë ekonomik, të cilësisë së jetës. Shenjtëria e Tij vuri theksin posaçërisht mbi plagën e rrëmbimit të njerëzve, veprim që shkel hapur të drejtat e njeriut. Uroi pastaj të lirohen të gjithë ata, të cilët në këtë çast nuk mund ta gëzojnë lirinë që u përket.Në përfundim Ati i Shenjtë ripohoi se Kisha katolike do të vijojë ta mbrojë me të gjitha forcat dinjitetin e njeriut. Prandaj u bëri thirrje laikëve të pranishëm në organet ligjvënëse, në qeveri dhe në administratën publike, të përpiqen që ligjet të shprehin gjithnjë vlera në përkim me të drejtën natyrore e në shërbim të së mirës së përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.