2007-02-08 18:24:27

Serbët do të shkojnë në Vjenë për statusin e Kosovës.


(08.02.07 RV)RealAudioMP3 Autoritetet serbe do të dërgojnë një delegacion në Vjenë për të marrë pjesë në bisedimet për statusin e Kosovës. Deklarata është e shefit evropian për politikën e jashtme, Havier Solana, pas bisedimeve gjatë natës me autoritetet serbe në Beograd.
Takimi mund të shtyhet disa ditë, por jo më shumë. Presidenti serb, Boris Tadiç duhet t’i ketë dërguar sot një letër, apo duhet t’i ketë bërë një telefonatë kryenegociatorit Ahtisari për t’i komunikuar disponibilitetin serb.
Përsa i përket qëndrimit ndaj propozimit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, serbët nuk kanë ndryshuar mendje. “Kanë përsëritur se nuk do të pranojnë asgjë që të mos përmbahet në Kushtetutën e Serbisë dhe kjo kushtetutë e sheh Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë”, sqaroi Solana.
Ka të ngjarë që Serbia të ketë marrë pëlqimin e Trojkës Evropiane për rifillimin e negociatave të asociim-stabilizimit me Bashkimin Evropian, të ndërprera për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës. Zyrtarisht, kjo mundësi do të diskutohet në mbledhjen e ministrave të jashtëm në Bruksel, të hënën e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.