2007-02-08 16:26:07

Porosia e Papës miqëve e dy lëvizjeve kishtare: bashkëpunoni me Kishën në misionin e saj të paqes e të drejtësisë.


(08.02.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë miq të Fokolarinëve dhe të Bashkësisë së Shën Egjidit, Papa theksoi se roli i lëvizjeve kishtare është t’i shërbejnë korpit të vetëm të Kishës, për ta ndihmuar në misionin e saj të paqes e të drejtësisë, posaçërisht ndërmjet të varfërve të botës.
Lëvizjet kishtare, duke u vënë në shërbim të Kishës, mund t’i ndihmojnë ipeshkvijtë me karizmat e tyre dhe me zellin e tyre për të përballuar sfidat shoqërore e fetare në këtë fillim mijëvjeçari. Ky ishte mesazhi që Benedikti XVI u përcolli rreth 80 prelatëve, miq të Lëvizjes së Fokolarinëve dhe 110 prelatëve, miq të Bashkësisë së Shën Egjidit, me të cilët u takua sot në Vatikan.
Në nivel shpirtëror, janë shenjë e bashkimit ndërmjet karizmave. Në nivel njerëzor, mbështetje e veprimtarisë misionare të Kishës në kërkimin e drejtësisë, të paqes e të solidaritetit me jugun e botës, duke nisur nga Afrika. Këto janë karakteristikat kryesore të Lëvizjeve kishtare, mbi të cilat reflektoi Benedikti XVI duke pritur ipeshkvijtë që prej kohe i kanë bërë të vetat idealet e dy bashkimeve më të mëdha të besimtarëve, të pranishëm në Kishën e sotme: Lëvizjes së Fokolarëve, themeluar nga Kjara Lubih dhe Bashkësisë së Shën Egjidit, themeluar nga Andrea Rikardi.
Çdo vit prelatët-miq të dy lëvizjeve, takohen për të jetuar së bashku ditë të vëllazërisë ipeshkvnore e të lutjes, në takime të veçanta, organizuar nga dy lëvizjet. “Krishti i kryqëzuar, dritë në natën kulturore, është braktisur” është tema e takimit 2007 të Fokolarinëve. “Globalizmi i dashurisë” – tema e takimit të Shën Egjidit. Benedikti XVI, ashtu si Gjon Pali II, kujtoi se ka nënvizuar disa herë vlerën e përmasës karizmatike të Lëvizjeve kishtare:
“Më duket – tha Papa – se ky takim i karizmave të unitetit të Kishës, në larminë e dhuratave, është shenjë shumë inkurajuese dhe e rëndësishme. Kur isha ende profesor e pastaj kardinal, pata rastin të shpreh bindjen se lëvizjet janë realisht dhuratë që Shpirti Shenjt i bën Kishës e se pikërisht në takimin e karizmave gjen shprehjen e vet si pasuria e dhuratave, ashtu edhe e unitetit në fe”.
E mendimin e Papës mbi rëndësinë e larmisë së karizmave e dëshmoi më së miri takimi i fundit i mijëra anëtarëve të lëvizjeve të ndryshme kishtare, që u mblodhën vjet në Sheshin e Shën Pjetrit për të kremtuar së bashku Natën e Rrëshajëve, gjë që i kujtoi edhe një herë botës se Shpirti Shenjt dëshiron që Lëvizjet në shërbim të Korpit të vetëm të Kishës të jenë shumformëshe. E kjo realizohet përmes ministerit të atyre që Ai vetë i ka vënë në krye të Kishës së Hyjit: Ipeshkvijve, në bashkim me Pasardhësin e Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.