2007-02-08 18:25:59

Në Mekë, palestinezët merren vesh për listën e ministrave e lajme të tjera.


(08.02.07 RV) RealAudioMP3 Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s filluan sot takimin dy ditor në Sevilje të Spanjës ku do të diskutojnë rritjen eventuale të trupave në Afganistan. Përveç Afganistanit, ministrat pritet të konfirmojnë impenjimin për ruajtjen e paqes në Kosovë gjatë procesit të negociatave për statusin.


Shoqatat e emigrantëve në Greqi kanë kundërshtuar ashpër ligjin e ri për emigrantët të miratuar dje. Më datë 10 shkurt është parashikuar një protestë në sheshin Omonia në Athinë, ku do të marrin pjesë edhe shqiptarët. Sipas emigrantëve dhe opozitës, që ka votuar kundër, ligji nuk jep garanci për pagesën efektive të të gjitha orëve të punës e nuk u siguron emigrantëve të drejtat që u takojnë.




Armata amerikane njoftoi se shumica e operacioneve të sigurisë të planifikuara kanë filluar të zbatohen në Bagdad. Trupa amerikane dhe irakiane kanë arritur në kryeqytet, ku gjendja mbetet e tensionuar. Nga shpërthime sot paradite janë vrarë së paku 24 vetë.


Vazhdon mbledhja e krerëve palestinezë në Mekë, ku është arritur rezultati i parë. Hamasi dhe Al Fatahu janë marrë vesh për listën e ministrave në qeverinë e ardhshme të bashkimit kombëtar. Grupet e punës duhet të përcaktojnë detajet brenda ditës së sotme e nesër pritet nënshkrimi i marrëveshjes.

Për herë të parë nga përfundimi i luftës, gjatë verës që kaloi, rindizen tensionet në Liban. Autoblinda të kontingjentit ndërkombëtar UNIFIL u vendosën sot në zonën, ku dje pati ndeshje me armë ndërmjet ushtarëve libanezë dhe izraelitë. Ushtria libaneze hapi zjarr kundër disa buldozerëve të ushtrisë izraelite, që kapërcyen kufirin. Dy libanezë mbetën të plagosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.