2007-02-07 19:09:23

Thirrje e Benediktit XVI drejtuar të rinjve për të mos e pranuar dhunën e për t’u bërë ndërtimtarë të paqes.


(07.02.2007 RV)RealAudioMP3 Sot në audiencën e përgjithshme, kushtuar Akuilës e Prishilës, bashkëpunëtorë të Shën Palit Apostull, Papa vuri theksin mbi rolin e vlerave të krishtera në familje.
Audiencës së mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, i parapriu takimi me shtegtarët e ardhur nga Lombardia, ipeshkvijtë e të cilëve këto ditë vijojnë vizitën ‘Ad Limina’, mbledhur në Bazilikën e Vatikanit. Në këtë takim Papa foli kryesisht për traditat fisnike familjare e fetare të Lombardisë, por edhe për çastet e vështira që po kalojnë institucionet dhe agjensitë edukative në një vend, ku ka sinjale shqetësuese dhe fenomene dhune e kriminaliteti, që vërehen sidomos në jetën e të rinjve. Një realitet i tillë – nënvizoi Ati i Shenjtë - duhet ta nxisë Kishën vendase për një hov të ri në misionin e saj kryesor, që është:
“Të kumtojë e të dëshmojë Ungjillin në çdo mjedis, posaçërisht atje ku vërehen tiparet negative të kulturës konsumistike e hedonistike, të shekullarizmit e të individualizmit, ku bien në sy forma të reja e të lashta të varfërisë me sinjale shqetësuese nga jeta e të rinjve si dhe fenomene dhune e kriminaliteti. E gjërë është fusha e veprimit tuaj – u tha Papa besimtarëve lombardë – nga njëra anë duhet mbrojtur e përhapur kultura e jetës njerëzore dhe e ligjshmërisë, nga ana tjetër është i nevojshëm kthimi më koherent personal e komunitar te Krishti”.
Më pas, duke iu drejtuar ndihmësve dioqezanë të veprimit katolik, Benedikti XVI foli për rëndësinë e edukimit të krishterë të rinjve:
“Të dashur miq, përballë emergjencës shqetësuese edukative, është detyra juaj t’ua komunikoni fenë breznive të reja, duke nxitur takimin e shumë fëmijëve e të rinjve me Krishtin. Mos u lodhni kurrë – edhe pse e vështirë, por tepër e nevojshme e shumë e bukur – mos u lodhni, pra, kurrë s’u kujtuari atyre se vetëm Ungjilli mund t’u përgjigjet plotësisht shpresave të zemrës njerëzore e mund të krijojë një humanizëm të vërtetë”.
Çastet e shumta të reflektimit për vështirësitë e universit rinor u lidhen ngusht, si me një urë, me reflektimin për vlerat e pazevendësueshme të krishtera e mbi familjen, si qendër natyrore për rrezatimin e tyre:
“Çdo shtëpi mund të shndërrohet në një Kishë të vogël, jo vetëm sepse në të duhet të mbretërojë dashuria tipike kristiane, plot vetmohim e kujdes reciprok, por më tepër në kuptimin se gjithë jeta famijare, e bazuar mbi fenë, duhet jetuar duke pasur Jezu Krishtin zot shtëpie”.
Në përfundim të audiencën me besimtarët lombardë në Bazilikën e Vatikanit, në përshëndetjen drejtuar të rinjve, u ndje fuqimisht jehona e ngjarjeve të fundit dramatike italiane:
“Të dashur të rinj, të jeni kudo dëshmitarë të qëndrimit kundër dhunës e dëshmitarë të paqes; e kjo ka rëndësi të veçantë pikërisht sot. Kontribuoni kështu për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë”.
Një pohim i tillë ishte pasojë e katekizmit të sotëm, gjatë të cilit Papa vuri theksin mbi vlerat e familjes të themeluar mbi vlerat e fesë, simbol i së cilës janë bashkëshortët e krishterë Akuila e Prishila, përfaqësues tipikë të shërbimit të laikëve në Kishë në kohët e para të krishterimit. Ishin dy bashkëpunëtorë shumë të rëndësishëm të Shën Palit në apostullimin e tij – theksoi Papa - dhe më pas kujtoi ngjarjet kryesore të jetë së Akuilës e Prishilës, bashkëshortë që jetuan 40-50 vjet pas vdekjes së Krishtit. Benedikti XVI u foli mijëra besimtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI në Vatikan, për një nga karakteristikat themelore të bashkësive të krishtera të dhjetvjeçarëve të parë: mbledhjen e tyre në banesat e disa familjeve, për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për të kremtuar Eukaristinë. Kisha – pohoi Ati i Shenjtë - lind pikërisht në shtëpitë e besimtarëve:
“Një gjë është eqartë: njëherësh me mirënjohejn e këtyre kishave të para, për të cilat flet Shën Pali, duhet të theksojmë edhe mirënjohjen tonë, sepse falë fesë dhe impenjimit apostolik të besimtarëve si Prishila e Akuila, krishtërimi arriti deri në breznitë tona. Nuk mund të rritej vetëm nga apostujt, që e kumtonin, sepse për t’u rrënjosur në tokën e popullit, për t’u zhvilluar gjallërisht, ishte i nevojshëm impenjimi i këtyre familjeve, i këtyre bashkëshortëve, i këtyre bashkësive të krishtera; e kjo ka vlerë përgjithnjë, sepse vetëm kështu rritet Kisha. Posaçërisht ky çift tregon sa e rëndësishme është veprimtaria e bashkëshortëve të krishterë. Kur ata mbështeten në fe e në përshpirtëri, është i natyrshëm, pastaj, edhe impenjimi i tyre në Kishë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.