2007-02-06 14:26:23

U publikua mesazhi i Benediktit XVI për Ditën botërore të rinisë 2007.


(06.02.2007 RV)RealAudioMP3 Të dashur të rinj, mësohuni të doni ditë për ditë, siç bëri Jezusi, sepse vetëm dashuria që vjen nga Hyji e shndërron zemrën e njeriut dhe nuk mbaron kurrë: këtë thekson Benedikti XVI në mesazhin për Ditën botërore të rinisë 2007, që sivjet do të kremtohet në nivel dioqezan.
Mesazhi papnor ka për qëllim të gjallërojë në zemrën e të rinjve besimin në dashurinë e vërtetë, besnike e të fuqishme, dashuri që kthehet në burim të paqes e të gëzimit e që e bën njeriun dëshmitar të dashurisë. Me këto fjalë hapet mesazhi i Atit të Shenjtë për Dbr-së 2007, e cila këtë vit, sipas traditës, do të kremtohet në nivel dioqezan të Dielën e Larit, më 1 prillin e ardhshëm.
Por, ta njohim më hollësisht mesazhin papnor:
“Të dashur të rinj, dëshiroj t’ju ftoj të merrni guximin për të dashur, sepse dashuria është e forca e vetme që mund ta shndërrojë zemrën e njeriut e të mbarë njerëzimit, duke i bërë të dobishme marrëdhëniet ndërmjet burrave e grave, ndërmjet të pasurve e të varfërve, ndërmjet kulturave e qytetërimeve. Është fjala për një dashuri që nuk duhet ngatërruar me ndjenjat njerëzore, të cilat janë të paqëndrueshme. Prej tyre mund të krijohen mangësi ose më keq akoma, zhgënjime”.
Ndjehet qartë jehona e enciklikës “Deus caritas est” në faqet e mesazhit të Benediktit XVI për Dbr-së 2007, prelud i takimit të madh botëror të Sidneit vitin e ardhshëm. “Sikurse unë ju desha ju, ta doni edhe ju njëri–tjetrin” – është titulli i mesazhit të Papës. Por – pyet menjëherë Ati i Shenjtë – a është e mundur të duash? Apo është utopi e duhet t’i nënshtrohesh fatit, duke jetuar në një botë pa dashuri? Përgjigja që u jep Papa të rinjve është ‘jo!’: dashuria e vërtetë, besnike dhe e fortë, ajo që i lidh njerëzit, duke i bërë ta ndjejnë veten të lirë në respektimin reciprok, ekziston.
Papa e zhvillon reflektimin e vet në tre drejtime: në jetën e përditshme, në kërkimin e ardhmërisë dhe në praninë e Kishës, duke sqaruar, më pas, edhe mundësitë për zbatimin e parimeve shpirtërore në mjediset e jetesës të çdo të riu. Hyji – pohon Papa – është e vetmja gurrë e dashurisë së vërtetë e misteri i Trinisë së Shenjtë është zbulesa më e ndritshme e burimit të dashurisë. Por misteri i Hyjit-Dashuri i zbulohet njeriut vetëm përmes Jezu Krishtit: është një dashuri pa kufi, dhuratë e plotë e vetvetes, që Jezusi e dëshmon duke vdekur mbi Kryq. Duke shikuar Krishtin – u shkruan Papa të rinjve – kuptohet sesi duhet dashur sipas Zotit. E duke kaluar nga lartësia e këtij modeli, në jetën e përditshme, Ati i Shenjtë ndalet tek prirjet e të rinjve që përgatiten për të ardhmen. Në se jeni të fejuar, Zoti ka një plan dashurie për ardhmërinë tuaj bashkëshortore e familjare, prandaj është themelore që ju ta zbuloni këtë plan, me ndihmën e Kishës, të lirë – vijon Papa – nga paragjykimi i përhapur, sipas të cilit krishterimi, me urdhërimet e tij e me ndalesat e tija, krijon pengesa për gëzimin e dashurisë dhe ndalon në mënyrë të posaçme shijimin e plotë të asaj lumturie, që burri e gruaja e kërkojnë në dashurinë e tyre reciproke. Pastërtia në fejesë – shton Papa - i krijon dashurisë kushte për të fituar pjekurinë e për të thelluar respektin ndërmjet dy njerëzve që duhen, sepse dashuria e vërtetë nuk kërkon të përmbushë menjëherë kënaqësinë e vet, as të sigurojë mirëqenien e vet. Benedikti XVI i fton të rinjtë të luten, sepse lutja e ndriçon çdo njeri, si kur ecën në rrugën e jetës familjare, ashtu edhe kur ia dhuron gjithë vetveten Zotit e të afërmit. Eukaristia – përsërit Papa – është shkolla e madhe e dashurisë, sepse i krijon njeriut mundësitë të depërtojë në zemrën e dashurisë së Zotit, duke i dhënë guxim të mos dorëzohet, por të ecë, i patundur, në rrugën e Ungjillit. Po kufizohem të citoj këtu vetëm shembullin e Nënë Terezës – u shkruan Papa të rinjve - e cila, për t’iu përgjigjur britmës së Zotit “Kam etje!”, britmë që e kishte prekur thellë në shpirt- nisi të mblidhte njerëzit që jepin shpirt nëpër rrugët e Kalkutës, në Indi. Që atëherë e vetmja dëshirë e jetës së saj ishte të shuante etjen e Jezusit për dashuri, e jo me fjalë, por me vepra konkrete, duke njohur fëtyrën e përgjakur Krishtit në kryq, plot etje për dashuri, në fytyrat e të varfërve më të varfër. E Lumja Terezë vuri në jetë mësimin e Zotit: ”Çkado bëtë për njërin ndër këta vellëzër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40). E mesazhi i kësaj dëshmitareje të përvujtë u përhap menjëherë në mbarë botën. Kështu, duke u treguar të rinjve shembullin e shenjtorëve e posaçërisht të Nënë Terezës, Benedikti XVI i porosit djemtë e vajzat që përgatiten të marrin pjesë në Dbr-së të Sidneit 2008: “Të dashur të rinj, zhvillojini talentet tuaja jo vetëm për të fituar një pozitë shoqërore, por edhe për t’i ndihmuar të tjerët që të rriten. Zhvillojini aftësitë tuaja, jo vetëm për t’u bërë më zotët e për të dhënë më shumë fryte, por kryesisht për të qenë dëshmitarë të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.