2007-02-06 15:59:04

Selia e Shenjtë nuk e pranon dënimin me vdekje si mjet për të zhdukur krimin.


(06.02.2007 RV)RealAudioMP3 Ky qëndrim u shpreh përmes një deklarate në Kongresin e tretë botëror kundër dënimit me vdekje, që përfundoi në Paris të Francës. Në deklaratë ripohohet edhe se Selia Apostolike i mbështet të gjithë ata që impenjohen kundër dënimit kapital, në mbrojtje të paprekshmërisë së jetës njerëzore që nga zënia, në vdekjen e natyrshme.
Autoritetet ligjore të shtetit e kanë për detyrë ta mbrojnë shoqërinë nga kriminelët, por sot është tepër e vështirë të përligjet zgjedhja e dënimit me vdekje në emër të kësaj mbrojtjeje – vijon të nënvizojë nota
Kongresi u karakterizua nga mesazhet e shumta të personaliteteve të ndryshme, ndërmjet të cilëve Papa Benedikti XVI, që kërkuan heqjen e këtij dënimi. Për Benediktin XVI, shtetet kanë në dorë mjete më të frytshme sesa dënimi me vdekje për t’i ndaluar krimet, duke ia hequr kriminelit mundësinë për të bërë përsëri keq, por jo për t’u kthyer në rrugë të drejtë.
Ndërsa Gjon Pali II, siç u kujtua në Kongres, me rastin e Jubileut të Vitit 2000, pati bërë thirrje për një moratorium mbi dënimin me vdekje, sepse të shumta janë rreziqet që lidhen me këtë dënim, ndërmjet të cilëve, ai i ekzekutimit të njerëzve të pafajshëm dhe i tundimit për të marrë hak, në vend të zbatimit të drejtësisë shoqërore. Dënimi me vdekje – lexojmë akoma në deklaratë – është fyerje kundër jetës, që nxit kulturën e dhunës dhe të vdekjes. Për të krishterët, pastaj, është edhe një formë e përbuzjes të mësimit ungjillor mbi faljen.
Tri ditë me radhë në Kongresin botëror qindra delegatë ishin një mendjeje për heqjen universale të dënimit kapital, që mund të bëhet realitet, në se do të shënohet progresi i duhur në Kinë, në Magreb e në Lindjen e Mesme. Kongresi përfundoi me një manifestim kundër dënimit me vdekje nëpër rrugët e Parisit, me pjesëmarrje masive, gjë që dëshmon se njerëzit po bëhen gjithnjë më të vetëdijshëm për vlerën e jetës e sidomos, për të drejtën që ka çdo njeri për të jetuar, edhe në rrethana kaq të jashtzakonshme, siç janë ato të njeriut të dënuar me vdekje nga njeriu.







All the contents on this site are copyrighted ©.