2007-02-06 17:14:44

Ahtisari përjashton shtyrjen për paraqitjen e statusit të Kosovës.


(06.02.07 RV)RealAudioMP3 Asnjë shtyrje për paraqitjen e planit mbi statusin përfundimtar të Kosovës, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në fund të këtij muaji. Paralajmërimi i kryenegociatorit Marti Ahtisari u drejtohet serbëve, pasi Beogradi bëri kërkesë për ta shtyrë të paktën dhjetë ditë fillimin e bisedimeve mbi propozimin e paraqitur javës që kaloi.
Në një intervistë për gazetën britanike “Fajnenshëll Tajms”, Ahtisari sqaron qëndrimin e tij. "Nëse dikush kërkon më tepër kohë, e pyes: a do të ndryshojë diçka në qëndrimin e tuaj? Nuk mendoj se vonesat në këtë proces do të sillnin ndryshime", përfundon kryenegociatori i OKB-së.
Lidhur me qëndrimin e Grupit Kontaktit rreth pakos për statusin e Kosovës, ish-presidenti finlandez, duke iu referuar Moskës, thekson se "mund të ketë disa nuanca në mendimet mbi statusin e Kosovës, por Grupi vepron si një i vetëm". Rusia e përsëriti sot qëndrimin e saj, duke nënvizuar se për Kremlinin është më e rëndësishme se ç’mendojnë Beogradi e Prishtina mbi planin e Ahtisarit, më shumë se sa vendimet e vendeve të tjera mbi të.

I dërguari amerikan për Kosovën, Frenk Uisner është takuar sot në Beograd me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Ky i fundit i ka kërkuar që bisedimet me kosovarët në Vienë, të parashikuara për 13 shkurt, të shtyhen për dhjetë ditë. Tadiç i ka ftuar edhe ambasadorët e vendeve të Grupit të Kontaktit të presin fillimin e punës së Parlamentit të ri serb, dalë nga zgjedhjet e 21 janarit.
Pas Beogradit, Uisner do të shkojë në Moskë për të diskutuar mbi Kosovën me autoritetet ruse.








All the contents on this site are copyrighted ©.