2007-02-05 16:33:19

Uisner në Kosovë e trojka evropiane në Moskë. Ravijëzohet politika ndaj Prishtinës.


(05.02.07 RV) RealAudioMP3 Plani i Ahtisarit është pranuar si pozitiv nga shqiptarët e Kosovës, por jo nga serbët e Beogradit. Edhe Kisha ortodokse serbe ka deklaruar hapur se i dërguari i OKB-së nuk ka të drejtë “t’u dhurojë” shqiptarëve diçka që i përket Serbisë. Sot, në Beograd janë mbledhur krerët kryesorë politikë serbë, për të vendosur pikërisht mbi qëndrimin që duhet mbajtur pas shpalljes së propozimit mbi statusin e Kosovës.
Ndërkaq, i dërguari amerikan për Kosovën, Frank Uisner është takuar me shqiptarët në Prishtinë. Ai ka shprehur mbështetjen e Uashingtonit për planin dhe i ka kërkuar Rusisë të bashkëpunojë. Uisner u shpreh se dokumenti mund të ndryshohet, përveçse në parimet bazë. “Ruajtja e integritetit territorial është përshkruar qartësisht në dokument – theksoi ai në takimin me presidentin e Kosovës, Sejdiu e autoritete të tjera. Kufijtë nuk do të ndryshojnë, dhe në këtë pikë SHBA-të dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit janë të vendosur", tha Uizner, duke bërë të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
Ndërkaq, "Trojka" e Bashkimit Evropian, të cilën e udhëheq shefi i diplomacisë gjermane, Frank Valter Shtajnmajer, e ku bëjnë pjesë edhe përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana dhe komisarja e punëve të jashtme Benita Ferrero-Valdner, ka biseduar sot në Moskë me shefin e diplomacisë ruse Sergei Lavrov rreth çështjes së Kosovës. Lavrov ka përsëritur qëndrimin e Rusisë, se zgjidhja për Kosovën varet nga Beogradi dhe Prishtina. Serbia pret që Rusia të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse plani për Kosovën nuk i pëlqen Beogradit, por Moska ka mundësi të tregohet më pragmatiste dhe të mos sillet ekzaktësisht siç dëshiron aleatja e saj në Ballkan.


Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ta pranojnë planin e Kombeve të Bashkuara. Në një intervistë të botuar në gazetën beogradase "Glas Javnosti", Çeku u ka dhënë siguri serbëve të Kosovës për trajtimin që do të kenë në të ardhmen, por u ka kërkuar atyre të pranojnë realitetin. Sipas Çekut, serbët e Kosovës janë të hutuar dhe në ankth për shkak të presioneve të mëdha nga ana e Beogradit.








All the contents on this site are copyrighted ©.