Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI i ftoi besimtarët të përpiqen vazhdimisht
për mbrojtjen e jetës dhe të institutit familjar.
(05.02.2007 RV)Gjatë lutjes së
djeshme të Engjëllit të Tënzot, në ditën që Konferenca Ipeshkvnore Italiane ia kishte
kushtuar mbrojtjes së jetës, Benedikti XVI i nxiti të gjithë besimtarët ta mirëpresin
dhuratën misterioze të jetës, që nga zënia deri në përfundimin e saj të natyrshëm.
Më pas Ati i Shenjtë ripohoi rëndësinë e mbrojtjes dhe të vlerësimit të familjes,
djep i jetës dhe i çdo prirjeje. Papa uroi edhe që të ndërmerren nisma baritore e
politike në mbrojtje të institutit familjar. Është e nevojshme ta mirëpresim dhuratën
misterioze të jetës: kjo ishte porosia kryesore e Benediktit XVI, i cili dje kujtoi
në mënyrë të veçantë të gjithë ata që impenjohen për mbrojtjen e jetës nga zënia
në përfundimin natyror: “Jeta, që është vepër e Zotit, nuk i duhet mohuar askujt,
as foshnjës më të vogël e më të pambrojtur që përgatitet të dalë në dritë, aq më pak
kur parashikohet se do të lindë me gjymtime. Njëkohësisht, duke u bërë jehonë barinjve
të Kishës në Itali, i ftoj të gjithë të mos i gënjejë mendja se mund ta zotërojnë
jetën deri në atë pikë, sa ta përligjin ndërprerjen e saj me eutanazinë, duke u përpjekur
ta maskojnë me velin e mëshirës njerëzore”. Më pas Papa u ofroi besimtarëve
një reflektim për familjen, djep i jetës dhe i të gjitha prirjeve, me rastin e “Javës
të jetës e të familjes” organizuar nga dioqeza e Romës. E dimë mirë – tha Papa – se
familja e themluar mbi martesën, përbën mjedisin natyror për lindjen dhe edukimin
e fëmijëve e, prej këndej, për sigurimin e ardhmërisë së mbarë njerëzimit. Megjithatë
- vërejti Shenjtëria e Tij – sot familja po kalon një krizë të rëndë e duhet të përballojë
një mori sfidash. “Duhet prandaj – bëri thirrje Ati i Shenjtë - ta
mbrojmë, ta ndihmojmë, ta ruajmë e ta vlerësojmë, në unicitetin e saj të papërsëritshëm.
Në se kjo detyrë u përket në radhë të parë bashkëshortëve, është edhe detyrë parësore
e Kishës dhe e çdo institucioni publik ta mbështesin familjen përmes nismave baritore
e politike, që i njohin nevojat reale të bashkëshortëve, të të moshuarve e të breznive
të reja”. Pikërisht atmosfera e qetë familjare – shtoi Papa – e ndriçuar nga
feja dhe nga druajtja e shenjtë e Zotit, favorizon edhe lindjen e lulëzimin e thirrjeve
në shërbim të Ungjillit. E ky reflektim e nxiti Benediktin XVI të kujtojë, pak ditë
pas kremtimit të Ditës Botërore të Jetës Rregulltare, të gjithë ata që janë të thirrur
për ta ndjekur Krishtin në rrugën e meshtarisë, ashtu edhe rregulltarët si dhe të
gjithë njerëzit e përkushtuar. Më pas Papa i ftoi besimtarët t’i bëjnë bashkësitë
e tyre vende bashkimi e shprese ku përtërihet, ndonëse ndërmjet shumë vështirësish,
‘Po’-ja e madhe e dashurisë së vërtetë dhe e realitetit të njeriut e të familjes
sipas planit të shestuar nga Zoti që në zanafillë. “T’i lutemi Zotit që, përmes
ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, ta shtojë respektin për shenjtërinë e jetës, të
fitohet gjithnjë më shumë vetëdija për kërkesat e vërteta familjare dhe të bëhet
përherë më i madh numri i atyre që kontribuojnë për të realizuar në botë qytetërimin
e dashurisë”.Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa, duke përshëndetur shtegtarët
në Sheshin e Shën Pjetrit, të ngrohur nga një diell gati pranveror – kujtoi në mënyrë
të posaçme funksionarët e qeverisë së Sri Lankës, të impenjuar në rindërtimin e zonave
të shkatërruara nga cunami. Më pas, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë,
falënderoi Zotin për veprimtarinë e rregulltarëve, duke uruar të shtohen thirrjet
e të thellohet shenjtëria e atyre që ndjekin me përkushtim rrugën e këshillave ungjillore.
Në përfundim – një përshëndetje në gjuhën italiane drejtuar një grupi shtegtarësh,
ardhur nga vende të ndryshme, që jetojnë përvojën e bashkimit në kuvendin “Përvujtëria
shenjte” të Faencës.