2007-02-03 15:14:46

Shenjtorët e javës së ardhshme.


(04.02.2007 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e pestë të Kohës gjatë vitit kishtar; u përkujtua edhe festa e Shën Eutikit, martir dhe Shën Jozefit nga Leonesa, kapuçin.
Nesër, e hënë, Kisha do të kremtojë Shën Agen, virgjër e martire; Shën Adelajden, abateshë dhe Shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje. Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpëdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.
Liturgjia e festës së Shën Pal Mikit me shokë, martirë japonezë dhe Shën Dorotesë, virgjër e martire që do të kremtohen të martën, na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.
Shën Rikardi meshtar dhe i Lumi Piu IX, papë, që do të kremtohen të mërkurën, na nxisin të meditojmë për revolucionin fetar që solli Jezu Krishti, i cili u kujtoi njerëzve se pastërtia fizike nuk duhet ngatërruar me pastërtinë fetare, që është pastërti e shpirtit. Është zemra ajo që duhet pastruar - vijon të na porositë Krishti.
Të enjten e ardhshme do të kremtohet festa e Shën Jeronim Emilianit, themelues i Etërve Somaskë, pajtor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur dhe e Shën Jozefina Bakhitës, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e krijoi gruan e ia dha burrit me qëllim që të dy të jenë një trup i vetëm.
Të premten e ardhshme do të kremtohet Shën Apolonia. Na kujton thirrjen: - Effatà! Hapuni! - të Krishtit, kur shëron shurdhmemecin. Kjo fjalë u thuhet të gjithë atyre që marrin pagëzimin. E Zoti dëshiron t’i hapim jo vetëm veshët e gojën, por sidomos zemrat, që në to të hyjë bota, të hyjë dashuria, të hyjë dialogu e sidomos, njohja e vërtetë e Zotit.
Shën Skolastika, virgjër, motra e Shën Benediktit dhe Shenjtorët Zotiku, Gjaçinti e Amanci martirë, që do të kremtohen të shtunën, na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.