(02.02.07 RV) Alarm mbi të
ardhmen e planetit nga shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara. Brenda këtij shekulli,
temperatura mbi Tokë do të rritet me 1,8-4 gradë celcius dhe shkrirja e akujve do
të rrisë nivelin e ujit të oqeaneve e detit në përgjithësi nga 18 deri në 59 centimetra.
Në masën 90%, këto ndryshime janë shkaktuar nga njeriu, i cili prodhon shumë gazra
industriale, që shkaktojnë efektin serë. Këto janë rezultatet që përfshihen në
Raportin e Katërt mbi ndryshimet klimaterike të Panelit ndërkombëtar mbi këto ndryshime,
në të cilin marrin pjesë 2.500 shkencëtarë nga e gjithë bota. Raporti u paraqit në
Kongresin botëror mbi klimën që po mbahet në Paris. 15 faqe për t’i bërë diagnozën
planetit, fryt i 5 vjet pune, vënë në dukje se ngrohja e planetit do të zgjasë për
një mijëvjeçar dhe nuk përjashtohet që temperaturat mund të rriten edhe me 6,4 gradë.
Raporti më i ri i shërbimit amerikan të zbulimit nxjerr në pah se situata
në Irak është e rrezikshme, ndërsa dhuna ka tejkaluar edhe rrezikun që Al Kaida
paraqet për qëllimet e Shteteve të Bashkuara. Sipas gazetës “Uashington Post”,
në raportin prej 90 faqesh, që sot i paraqitet Kongresit, shprehet dyshimi se liderët
irakianë nuk janë në gjendje t'i kapërcejnë ndarjet sektare për të luftuar ekstremizmin
dhe për të krijuar institucione funksionale shtetërore. Ndërkaq, gjatë 24 orëve
të fundit, së paku 18 guerrilas irakianë janë vrarë nga amerikanët në Ramadi. Në qytetin
shiit të Nazhafit është vendosur ndalim-qarkullimi i plotë nga frika e ndeshjeve të
reja me armë, pas atyre të së dielës së kaluar, gjatë të cilave vdiqën 200 milicë.
Prishet
armëpushimi ndërmjet Hamasit dhe Al Fatahut në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave
të fundit, në ndeshjet e mbrëmshme që kanë vazhduar edhe sot, janë vrarë 17 vetë dhe
janë plagosur rreth 170 të tjerë. Ndërkaq, të martën, presidenti i autoritetit palestinez
Abu Mazen do të takohet me shefin e zyrës politike të Hamasit, me ndërmjetësimin e
sauditëve.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidente aktuale e
Bashkimit Evropian do të fillojë nesër një mision dipllomatik që do ta çojë në
Egjipt, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndër përparësitë e
saj, gjendja në Irak, programi bërthamor iranian dhe konflikti izraelito-palestinez.
Gjatë këtij viti, Gjermania është edhe në krye të G-8.