2007-02-01 15:58:31

Sfida e impenjimit më të madh për ungjillëzimin e ri të Evropës. Me ne kardinali Peter Erdë.


(01.02.2007 RV)RealAudioMP3 Kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit dhe Primat i Hungarisë u zgjodh kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE): për kardinalin Erdö, që zë vendin e ipeshkvit zviceran Amèdèe Grab, “Këshilli duhet ta ketë mirë parasysh lidhjen shumë të fortë ndërmjet popujve, si brënda, ashtu edhe jashtë Bashkimit”. Prej këndej, sfida e impenjmit për ungjillëzimin e ri të Evropës, siç shpjegon kardinali Erdë në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Është problem qëndror. Ka masa të tëra njerëzish në kontinentin tonë që nuk e kanë braktisur fenë katolike, që nuk mbajnë qëndrim armiqësor kundër krishtërimit, por që nuk janë takuar kurrë me Krishtin. Kështu mund të themi se Kisha ndodhet në një situatë jo aq baritore, sa misionare edhe në Evropë. Përsa i përket shekullarizimit të Kontinentit tonë disa, në çastin e ndryshimeve politike 16-17 vjet më parë, mendonin se pjesa perëndimore e Kontinentit ishte shekullarizuar, ndërsa pjesa lindore mbante ende gjallë përshpirtërinë popullore tradicionale. Është një vizion tepër skematik, që nuk i përgjigjet realitetit, sepse pjesa lindore e Kontinentit u shndërrua intelektualisht e kulturalisht në mënyrë brutale gjatë viteve të komunizmit e kështu mund të themi se është njëlloj e shekullarizuar, si pjesa perëndimore e Evropës.
Pyetje: - Kardinali Erdè, pikërisht duke u ndalur tek ky aspekt, ç’mendoni për të ardhmen e rrugës ekumenike në Evropë?
Përgjigje: - Pikërisht për zbulimin e plotë të realitetit të Evropës, duhet vënë fort theksi mbi marrëdhëniet tona me Kishat ortodokse. Nga 1 janari edhe Rumania e Bullgaria janë anëtare të Bashkimit evropian e këto vende kanë shumicë ortodokse. Kështu mund të themi se Greqia nuk është më i vetmi vend me shumicë ortodokse në mbarë Bashkimin. Kjo përvojë është tepër e rëndësishme, sepse për shembull në Rumani shumica e popullsisë është shumë fetare. Prej këndej shihet qartë se duhen parë vlerat dhe realiteti i jetës së krishterë në të gjitha këto vende, e jo vetëm në Bashkimin evropian, sepse Evropa është më e madhe se Bashkimi. Problemi i shekullarizimit në vendet ish-komuniste ka një aspekt krejt të veçantë, sepse komunizmi la pas zbraztësi ideologjike, zbraztësi kulturore, mungesë vlerash në shoqëri, e prandaj shumë intelektualë e politikanë kërkojnë t’i zgjojnë e t’i forcojnë Kishat historike të popujve të tyre, e jo vetëm për arsye të bindjeve fetare personale, por edhe për shkak të shqetësimit përballë kriminalizimit të mbarë shoqërisë, në mungesë të vlerave.
Pyetje: - Të ndalemi tek diskutimi për vlerat, temë kjo shumë e dashur për Papën Benedikti XVI. Në Evropë flitet shumë për mbrojtjen e familjes së ligjshme, të themeluar mbi martesën. Në ç’pikë jemi?
Përgjigje: - Familja dhe martesa janë vlera të pazëvendësueshme. Prandaj duhet njohur, me të gjitha metodat shkencore, realiteti i qenies njerëzore, i shoqërisë dhe i botës, sepse ky realitet objektiv ekziston e ligji duhet të ndjekë kriteret e realitetit, të së vërtetës e duhet edhe të njohë, të pranojë e të mbrojë institutin e martesës dhe të familjes. Mendoj se këtu nuk bëhet fjalë për opinione ose pëlqime personale, por për rrethanat e realitetit objektiv. E njëjta gjë vlen edhe për vlerësimin e jetës njerëzore, kur i afrohet mbarimit. Përsa i përket eutanazisë në vende të ndryshme, që nuk i përkasin ende Bashkimit evropian, vërej se të krishterët i shqetëson mendimi se, në rast bashkimi, këto vende mund të detyrohen t’i modifikojnë ligjet, duke pranuar eutanazinë ose veprime të tjera, që i kundërvihen jetës, por që janë të pranueshme për shoqërinë e vendit. Prej këndej, edhe për opininin publik të disa vendeve.
Pyetje: - Evropa ka një Kushtetutë që faktikisht është bllokuar pas votimit të Francës dhe të Holandës. Në shumë shtresa shoqërore të popullsisë evropiane, Evropa nuk shikohet me sy pozitiv. Ç’e pengon, sipas jush, një ecje të natyrshme, një pranim të natyrshëm, pa bllokime, nga ana e qytetarëve të saj?
 Përgjigje: - Para së gjithash fakti se Bashkimi evropian përpiqet të zëvendësojë konceptin e Evropës, ndërsa Evropa ekziston pa Bashkimin, ekzistonte e do të ekzistojë e nuk përkon me Bashkimin, që është një organizim shtetesh. Kjo është një pikënisje. Pastaj kemi të bëjmë me një bashkësi vlerash të ndryshme, të deklaruara ose jo, që në fillim dukeshin të përbashkëta për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit evropian. Ndërmjet tyre, mund të kujtojmë vlerën e solidaritetit, për të mos përmendur atë të ndihmës. Ndërsa vendet e reja anëtare e ndjejnë veten të zhgënjyer, sepse nuk trajtohetn në mënyrë të barabartë, as në aspektin ekonomik. Natyrisht ky nuk është thjeshtë i ashtuquajturi faj i Bashkimit, është edhe pasojë e një ekonomie tepër të lirë, që vë përballë konkurencës të shoqërive të mëdha botërore, ekonominë e këtyre vendeve tejèt të dobta pas çlirimit nga komunizmi. E posaçërisht sektori privat i brëndshëm është jashtzakonisht i ligësht. Natyrisht çështja e një dokumenti kushtetues është gjë tjetër. Rëndësi ka të mos jetë kushtetutë që e shikon me sy armiqësor identitetin e krishterë dhe vlerat, të cilat për ne janë themelore, në përkim me fenë tonë e sipas ligjit të natyrës. Në tekstet që njohim deri tani, kishte edhe elemente shumë pozitive, por është e nevojshme që parimet pozitive të deklaruara, të vihen edhe në jetë, sepse pastaj normat juridike të shkruara nuk kanë të njëjtën vlerë në të gjitha shoqëritë e duhet llogaritur ndryshimi i rolit të ligjit nga një vend në tjetrin. Në këto rrethana do të ishte e rëndësishme të njiheshim më mirë edhe në Bashkimin evropian e, sidomos, të njihnim më mirë realitetet shoqërore të shteteve të reja anëtare. Mendoj se kushtet e lëvizjes, të lirisë së transferimit të njerëzve, mund të ndihmojnë për t’u njohur më mirë, por kjo sigurisht do kohë.







All the contents on this site are copyrighted ©.