2007-02-01 18:07:20

Një ditë para propozimit të Ahtisarit në Beograd e Prishtinë. SHBA-të kritikojnë Koshtunicën.


(01.02.07 RV) Një ditë para paraqitjes së propozimit të Ahtisarit në Beograd dhe Prishtinë, palët marrin të gjitha masat e sigurisë për t’u bërë ballë reagimeve të mundshme. Parashikohet që reagimet dhe diskutimet e planit të zgjasin gjatë gjithë shkurtit, por Kombet e Bashkuara presin që në fund të muajit statusi i ardhshëm i Kosovës të ketë marrë formë përfundimtare.
Ahtisari e gjen Beogradin, ku do të shkojë fillimisht, akoma pa një qeveri të re dhe me polemika të jashtëzakonshme mbi çështjen e Kosovës. Sipas kryenegociatorit serb për statusin, Sllobodan Samarxhiq plani i tij është kundër platformës së Serbisë, e cila e përfshin Kosovën në kufijtë e vet. Ai nuk sqaroi nëse e ka parë propozimin dhe ku e ka parë, apo nëse bëri thjesht një koment mbi bazën e opinioneve të përgjithshme.
Nga ana tjetër, platforma e partisë së Vojisllav Koshtunicës, e cila propozon ndërprerjen e marrëdhënieve dipllomatike me shtetet që njohin pavarësinë e Kosovës, ka shkaktuar reagime të ashpra brenda dhe jashtë Serbisë. Demokratët e presidentit serb Tadiç mendojnë se ajo është tepër e ekzagjeruar, ndërsa SHBA-të e kanë kritikuar pa doreza. Ambasada amerikane në Beograd, në një letër publike sot, shpreh keqardhjen e saj për faktin se koalicioni qeveritar mbahet peng nga ky qëndrim i Koshtunicës, pasi partia e tij i ofron aleancë vetëm partive që kanë të njëjtën pikpamje mbi Kosovën. “Ne shpresojmë – nënvizohet në deklaratën amerikane – se krerët serbë do të formojnë së shpejti një qeveri demokratike, duke plotësuar kështu dëshirat e shumicës së popullit serb për të ecur në rrugën drejt Evropës dhe partneritetit Euro-Atllantik”. Gjithsesi, Koshtunica, i cili është akoma kryeministër deri në formimin e qeverisë së re, nuk ka ndërmend të takojë nesër Ahtisarin e taktika e tij ka mundësi të zgjasë me muaj formimin e qeverisë, ose ta çojë Serbinë drejt zgjedhjeve të reja.
Në Kosovë, autoritetet janë gati për çdo eventualitet. KFOR-i ka marrë të gjitha masat, që sidomos në Mitrovicë të mos ketë probleme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Sipas opinionistëve ndërkombëtarë, nëse Kosova do të shpallte pavarësinë për të shmagur kështu veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, SHBA do ta njihnin atë të parët e më pas kështu do të bënin edhe shumë shtete të Bashkimit Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.