2007-01-31 18:00:38

Shenjtorët janë njerëz si ne e shenjtërimi është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar jetën pas mëkatit sipas vullnetit të Zotit: kështu tha sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar bashkëpunëtorëve të shën Palit.


(31.01.07. RV)RealAudioMP3 “Shenjtorët janë njerëz si ne, me probleme e mëkate; shenjtëria e tyre është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar, pas mëkatit”: kështu u shpreh sot Papa në audiencën e përgjithshme.
Shenjtorët janë njerëz si ne, me probleme e mëkate e shenjtëria e tyre është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar rrugën e Zotit, pas mëkatit: kështu u shpreh sot Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar bashkëpunëtorëve të Shën Palit, Barnabës, Silës dhe Apolit, duke vënë theksin mbi rëndësinë e shërbimit të besimtarëve në Kishë, secili në rolin e vet.


Duke filluar nga Papa, tek kardinajtë, ipeshkvijtë e deri tek besimtari më i përvujtë, çdo i krishterë është shërbëtor i Ungjillit dhe i Kishës. E të gjithë janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, sepse edhe ndërmjet shenjtorëve ka pasur mospërkime theksoi Papa. Tek shenjtëria nuk arrihet vetëm përmes një jete pa mëkat, por edhe përmes aftësisë për t’u penduar për mëkatet. Këta janë dy mësimet kryesore, nënvizuar në mes të duartrokitjeve, që karakterizuan audiencën e sotme të përgjithshme të Benediktit XVI, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, në praninë e 8 mijë besimtarëve, kushtuar bashkëpunëtorëve të Shën Palit, Barnabës, Silës dhe Apolit. Papa foli për tre apostuj, modele zemërgjërësie e bujarie, që i lidh një fill i vetëm: bashkëpunimi me Shën Palin në kohë e vende të ndryshme. Paraqiti tre shembuj të unitetit të një Kishe, e cila nuk bën dallime ndërmjet atyre që i shërbejnë Ungjillit.
Për këtë reflektim mbi brishtësinë e natyrës njerëzore, nga e cila nuk përjashtohen as njerëzit e Kishës, Ati i Shenjtë e mori shtytjen nga marrëdhëniet, shpeshherë të trazuara, ndërmjet Shën Palit dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Shën Barnabës. Duke gërshetuar njohuritë e biblistit me humanitetin e personazheve, që ishin në qendër të katekizmit, Benedikti XVI foli për Barnabën, Silvanin e Apolin, shokë të Shën Palit në misionet e tij të para, por edhe njerëz të cilëve nuk u munguan mosmarrëveshjet ndërmjte tyre e edhe me bashkësitë që i mirëpriten e strehuan. Rasti më i njohur - kujtoi Papa - është ai i Barnabës, i pari që përhapi dyshime mbi kthimin e Shën Palit në bashkësinë bespakë të Jeruzalemit, i pari që e shoqëroi Palin në shtegtimin e tij të parë apostolik, por edhe i pari që u ndesh me të për praninë e Gjon Markut në shtegtimin e dytë:
“Pra, edhe ndërmjet shenjtorëve ka grindje, mosmarrëveshje e mospërkime –tha Papa. E kjo mua më duket shumë ngushëlluese, sepse shikojmë që shenjtorët nuk ranë nga qielli, por ishin njerëz si ne, me probleme e edhe me mëkate. Të jesh shenjt nuk do të thotë të mos kesh gabuar kurrë, por të kesh aftësinë të pendohesh, të rifillosh e, mbi të gjitha, aftësinë të pajtohesh e të falësh”.
Në se Barnaba - vërejti Benedikti XVI - me gatishmërinë e tij fillestare për t’i shërbyer Saulit të Tarsit, qe ai që ia ktheu Palin Kishës, Sila ose Silvani qe ai që qëndroi përkrah Palit, pas ndarjes nga Barnaba, gjatë udhëtimeve në Maqedoni ndërmjet Filipit e Selanikut. Në letrën drejtuar Selanikasve – shpjegoi Papa – ai njihet si i dërguar së bashku me Palin e me Timoteun. E kjo e dhënë nuk është pa rëndësi:
“Edhe kjo më duket e rëndësishme. Pali nuk vepron i vetëm, thjeshtë si individ, por me bashkëpunëtorët e Kishës, të cilët i quan ‘ne’. Pali nuk është kurrë i izoluar, i mbyllur në ‘unin’ e vet; ‘uni’ i tij është gjithnjë i lidhur me njerëzit e Kishës e të fesë apostolike, që ai i quan ‘ne’.
Shoku i tretë i Palit është Apoli, hebre me origjinë nga Aleksandria e Egjiptit. Kur, pas kthimit në fenë e krishterë, arrin në Korint për të predikuar Ungjillin, aftësia me të cilën kumton vlerësohet aq shumë, sa të krishterët e Korintit nisin t’u kundërvihen anëtarëve të tjerë të Kishës. Lind, kështu, një mosmarrëveshje e re, që shkakton reagimin e Palit, i cili shkruan: “Si unë, si Apoli, nuk jemi tjetër, veçse diakonë, dmth shërbëtorë të thjeshtë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që i dha Hyji”. Edhe prej këndej – vijoi Benedikti XVI, marrim një mësim të çmuar:
“Kjo fjalë vlen edhe për sot. Të gjithë, Papa, kardinajtë, ipeshkvijtë, meshtarët, laikët, jemi të gjithë shërbëtorë të përvujtë të Jezu Krishtit. I shërbejmë për aq sa mundemi Ungjillit, sipas dhuratave tona e i lutemi Zotit ta përhapë sa më shumë Ungjillin e tij, Kishën e tij”.
Sfidat e sotme kërkojnë nga Kisha guxim apostolik – tha Papa dhe, duke iu drejtuar besimtarëve, theksoi: - Pishtari i fesë që keni marrë në pagëzim, duhet mbajtur i ndezur me lutje e me ndjekjen e sakramenteve; ai duhet të ndrisë në fjalët tuaja e në shembullin tuaj, në mënyrë që të gjithë të marrin dritë e ngrohtësi nga drita e ngrohtësia juaj.
Në përfundim të audiencës, duke iu drejtuar besimtarëve që shoqëronin ipeshkvijtë italianë të Liguries, në vizitë ‘ad Limina’ i ftoi të bëhen gjithnjë më të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në Kishë. Besimtarët laikë – theksoi Ati i Shenjtë – duhet t’i përgjigjen sfidave të sotme me përshpirtëri të përtrirë e me guxim apostolik, duke e ripropozuar të plotë mesazhin shëlbues
Ndërsa të sapomartuarve, të pranishëm në audiencë, Ati i Shenjtë u kujtoi impenjimin e tyre reciprok për të formuar familje besnike ndaj dashurisë së Zotit e të vëllezërve.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.