Ipeshkvijtë e Brazilit përgatisin besimtarët për takimin me Papën në majin e ardhshëm.
(31.01.07. RV)Ipeshkvijtë e Brazilit
botuan për këtë qellim një material ndihmës. Materiali do të shërbejë edhe për të
ndjekur punimet e Konferencës së pestë të përgjithshme të episkopatit latino-amerikan
e të Karaibeve, që do të mbahet në Aparecida nga 13 deri më 31 maj 2007. Materiali
ndihmës, i bazuar mbi liturgjinë e Pashkëve, është i pasur me reflektime për çdo ditë
të muajit dhe ka për qëllim t’i ndihmojë ipeshkvijtë dhe besimtarët t’i ndjekin më
mirë diskutimet mbi temat e zgjedhura për takimin e madh me Atin e Shenjtë. Teksti
do të shpërndahet ndër dioqezat, famullitë dhe libraritë e Brazilit, për t’u krijuar
të gjitha bashkësive, seminareve e familjeve mundësinë ta lexojnë e të parapërgatiten
sa më të mirë për dy ngjarjet e mëdha, që konsiderohen si hir i Zotit për Kishën e
për vendin dhe pritet të japin fryte të begata.