2007-01-30 16:50:47

Shpresat dhe shqetësimet e Papës për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin e popujve: intervistë me imzot Celestino Miliore.


(30.01.2007 RV)T’i japë zë atij që nuk ka zë e të ofrojë një kontribut shprese për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin e mbarë njerëzimit: në këto drejtime përqendrohet veprimtaria e Selisë së Shenjtë në nivel ndërkombëtar. E këtë veprimtari Benedikti XVI po e çon përpara edhe në OKB, përmes bashkëpunëtorëve të tij. Kështu pohon kryeipeshkvi Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i OKB-së në Nju Jork, i cili dje u prit nga Papa. Mbi përmbajtjen e bisedimeve, të ndjekim vetë prelatin, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - RealAudioMP3 Jam i kënaqur që pata mundësinë të bisedoja edhe drejtpërdrejtë me Atin e Shenjtë, për shqetësimet dhe shpresat e përbashkëta që lidhen me veprimtarinë në OKB. OKB-ja në këto çaste jeton paksa si në kohët e Kullës së Babelit, në se mund të shprehemi kështu: të gjithë punojmë për të njëjtin projekt, përdorim të njëjtat metoda, por shpesh nuk arrijmë të merremi vesh. E kjo ngjet jo sepse na pengojnë gjuhët e ndryshme që flasim, sepse në këtë drejtim nuk e kemi vështirë ta kuptojmë njëri-tjetrin, por për arsye të frymës së copëzimit kulturor që nganjëherë arrin deri në përçarje. Duket gati e pamundur të mirëkuptohemi edhe për gjërat më të vogla. Në këtë takim vërejta se sa dëshirë të madhe ka Benedikti XVI që prania e Selisë së Shenjtë në OKB të japë kontributin për ta zhbllokuar këtë situatë e për të siguruar më shumë vullnet të mirë lidhur me mirëkuptimin, gjë që do të ishte arritje e frytshme për mbarë njerëzimin.
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për shpresat dhe shqetësimet kryesore të Atit të Shenjtë përsa i përket situatës ndërkombëtare?
Përgjigje: - Natyrisht nga OKB-ja pritet ajo që duhet të bëjë OKB-ja. Sipas Statutit, OKB-ja ka për detyrë të sigurojë paqen dhe mirëqenien e popullsive të botës, përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të përbashkët. Në se i hedhim një vështrim këtyre kapitujve të mëdhenj – paqe e zhvillim - do të shohim disa drita, por për fat të keq, më shumë hije.
Pyetje: - Ç’pret Selia e Shenjtë nga OKB-ja në përgjithësi e, në veçanti, nga sekretari i saj i ri i përgjithshëm?
Përgjigje: - Sekretari i ri i përgjithshëm nisi t’i kryejë funksionet e tij të reja vetëm një muaj më parë. Mund të themi se është njeri shumë i përgatitur e edhe plot gjallëri. Por kjo për të është një periudhë përgatitore, në të cilën i duhet të formojë stafin e tij. Mund të themi se jemi ende në pritje, por duhet sqaruar se kjo pritje është plot me shpresa të mira. Ndjehet se ky emërim i ngjet injektimit të gjakut të ri në këtë institucion.
Pyetje: - A mund të flasim për nisma të posaçme të Selisë së Shenjtë në nivelin ndërkombëtar?
Përgjigje: - Nisma të veçanta ose të jashtzakonshme nuk ka: ne kërkojmë mbi të gjitha t’i japim zë atyre që nuk kanë zë. Ndodhemi shpesh para situatave të ndryshme të emergjencës, gjatë të cilave i kërkohet ndihmë Papës, i kërkohet ndihmë Selisë së Shenjtë, e pikërisht përmes kësaj pranie në Nju Jork përpiqemi ta çojmë përpara këtë punë, e cila shpesh është posaçërisht humanitare.
Pyetje: - Lindja e Mesme, Iraku, Darfuri, Somalia… janë vetëm disa pika nevralgjike të situatës së sotme ndërkombëtare. Ç’kërkohet nga Bashkësia Ndërkombëtare për të përballuar këto emergjenca?Përgjigje: - Dy vjet më parë, në shtator të vitit 2005, pas takimit të madh të rangut të lartë të presidentëve dhe kryeministrave, në dokumentin përfundimtar u theksua një koncept shumë i bukur: përgjegjësia kolektive për mbrojtjen. Sovraniteti nuk kuptohet më si e drejtë e, prej këndej, si e drejtë për mosndërhyrje në punët e brëndshme, por mbi të gjitha kuptohet si përgjegjësi e qeveritarëve për të mbrojtur popullsitë e tyre; e atje ku qeveritarët nuk munden ose nuk duan ta mbrojnë popullsinë ose një pjesë të popullsisë, atëherë përgjegjësia për këtë mbrojtje bëhet kolektive e i takon mekanizmave të OKB-së. Kemi, pra, një kuadër shumë të qartë, që duhet të funksionojë. E ta bësh të funksionojë, do të thotë të nxitësh vullnetet e mira. Kjo është detyrë shumë delikate, e fshehtë, e vështirë, është kontributi më i rëndësishëm që mund t’i japë Selia e Shenjtë Kombeve të Bashkuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.